Vlorë, motori përplaset me makinën dhe shpërthen në flakë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën Transballkanike, ku një motor është përplasur me një makinë dhe më pas ka shpërthyer në flakë. Ngjarja ka ndodhur pranë një pike karburanti në zonën e Skelës në Vlorë, fatmirësisht pa shënuar viktima.

Dyshohet se shkak i aksidentit ishte shpejtësia me të cilën po lëvizte motori gjë që ka bërë që drejtuesi të humbë kontrollin dhe të devijojë rrugën duke u përplasur me makinën. Makina tip “BMW” me targa AA708 VC po vinte nga një rrugë dytësore, edhe në momentin që po futej në rrugën Transballkanike është përplasur me motorin që po vinte me shpejtësi. Si pasojë e goditjes, motori ka fluturuar disa metra në rrugë dhe më pas ka marrë flakë.

Drejtuesi i motorit fatmirësisht e ka mbajtur në jetë kaska e tij, pasi në të kundërt nuk do i kishte mbijetuar dot këtij aksidenti të rëndë.  Ai ka shpëtuar pa lëndime të shumta, ndërsa ka marrë mjekimin e duhur në Spitalin e Vlorës.

Anija pëson defekt pranë Karaburunit, shpëtohen 45 turistë

Një anije turistike ka pësuar avari në afërsi të gadishullit të Karaburunit, duke lëshuar sinjalin SOS.

Në bordin e anijes ndodheshin turistë shqiptarë dhe italianë, të cilët po eksploronin vijën bregdetare të Karaburunit.

Anija turistike pësoi defekt në të dyja helikat e saj duke mbetur e bllokuar në mes të detit. Pas sinjali SOS, kanë qenë rojat bregdetare të Vlorës, ato që i kanë ardhur në ndihmë turistëve.

Rojat bregdetare kanë shpëtuar 45 turistët që ndodheshin në bordin e anijes, të cilët raportohet se ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Aksident në Vlorë, një person në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Vlorë këtë të diel, ku si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor, ka mbetur një person i plagosur rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën e quajtur “Kuzum Baba”, ku mësohet se një mjet ka përplasur një motor.

Si pasojë, drejtuesi i motorit ka marrë plagë të rënda dhe është nisur me urgjencë drejt spitalit. Paraprakisht mësohet se gjendja shëndetësore e të aksidentuarit me motor është e rëndë.

Pas aksidentit policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit.

Taksisti qëllon me kaçavidë kolegun në Vlorë, shpallet në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Vlorën pas mesditës të së dielës. Mësohet se rreth orës 14:00, dy shtetas, të cilët punoni me Taxi, janë përfshirë në një sherr banal me njëri tjetrin. Si pasojë, njëri prej taksistëve, ka goditur kolegun e tij me kaçavidë, duke e lënë të plagosur rëndë.

Shtetasi i lënduar, që mësohet të jetë një person me inicialet K.B., 44 vjeç, banues në qytetin e Vlorës, është transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Nga informacioni paraprak që Policia e Vlorës ka dhënë për mediat, mësohet se personi i plagosur ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër efektivët Blu kanë bërë identifikimin e autorit të plagosjes dhe e kanë shpallur në kërkim. Policia po punon për arrestimin e tij, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, ende nuk dihet shkaku kryesor i sherrit mes taksistëve, që përfundoi me një të plagosur.

Vlorë, anija pëson defekt në det, jep alarmin SOS, shpëtohen dy persona

Një velier ka dhënë alarmin SOS në afërsi të gadishullit të Karaburunit. Rojat bregdetare të Vlorës kanë reaguar me shpejtësi duke shpëtuar dy personat, që ndodheshin në bordin e anijes së vogël, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Veliera ‘AIOLOS’, me flamur holandez, ishte nisur nga Saranda për të shëtitur vijën bregdetare të jugut të Shqipërisë, por kishte pësuar defekt në perëndim të gadishullit të Karaburunit në afërsi të zonës së Bristanit.

Alarmi SOS u lëshua në orën 05:00 të mëngjesit, ku Roja Bregdetare dhe Policia Kufitare, me anë të rimorkimit,  kanë çuar velierën në portin e Sazanit për riparimin e defektit.

‘Më plasi celulari në dorë’, zbardhen detajet, sulm me armë e tritol ndaj ish mësuesit të fizkulturës

Plagosja e ish mësuesit të fizkulturës në Vlorë, duket se ka qenë një tentativë për vrasje ndaj tij e mbetur në tentativë. Eljus Thartori, 36 vjeç, ishte duke qëndruar në bllokonin e banesës së tij në Vlorë, në momentin kur persona të paidentifikuar kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij.

Policia njoftoi se ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, ndërsa në dëshminë e dhënë ish mësuesi i fizkulturës ka deklaruar se është plagosur “pasi i ka shpërthyer celulari në dorë”. Duke qenë se të plagosurit i janë gjetur copa metali në disa pjesë të trupit ka ngritur dyshimet se veç breshërisë me armë ka pasur edhe lëndë plasëse. Autorët dyshohet se fillimisht përdorën një shpërthim eksplozivi për ta nxjerrë nga shtëpia dhe më pas e qëlluan me armë.

Thartori është transportuar në Tiranë në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën, pasi ka plagë të shumta të trup.

Policia ka shoqëruar 10 persona, fqinj por të tjerë që mund të kenë qenë në rrugë në momentin që ka ndodhi ngjarja mbrëmjen e të premtes.

Sipas policisë, një nga pistat ku po hetohet është e kaluara e 36-vjeçarit, i cili ka qenë dënuar me 10 vite burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Plagoset me armë zjarri në ballkonin e banesës në Vlorë, ish mësuesi i fizkulturës me precedent penal

Një person është plagosur më armë zjarri teksa qëndronte në ballkonin e banesës së tij në lagjen “10 korriku” në qytetin e Vlorës. I plagosur ka mbetur shtetasi Eljus Thartori, 36 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Thartori , është një emër i njohur për policinë, pasi ka qenë i dënuar më parë për vrasje. Eljus Thartori është dënuar me 10 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

36-vjeçari jetonte jashtë vendit, ndërsa ishte kthyer pak kohë më parë. Eljus Thartori ka punuar si mësues i edukimit fizik të shkollës 9-vjeçare “Teli Ndini” në Vlorë, ndërsa u shkarkuar pas u shfaq në media në një video ku inkurajonte nxënësit të ofendonin drejtoreshën dhe luante me ta bixhoz gjatë orës së mësimit.

Nuk dihet ende nëse atentati i sotëm ka lidhje me të kaluarën e Thartorit, ndërsa policia po heton për zbardhjen e ngjarjes.

I plagosuri Eljus Thartori

U nisën drejt Italisë me 20 kg drogë, 3 të arrestuar në portin e Vlorës

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë kufitare të portit të Vlorës, pasi gjatë kontrollit iu gjetën 20 kilogramë lëndë narkotike.

Droga ishte e fshehur në sediljen e pasme të automjetit tip “Benz” me targa gjermane, që u gjet gjatë kontrollit për të hipur në tragetin që nisej drejt Italisë.

Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe dy gra të cilat ndodheshin me të në momentin e kontrollit, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tyre.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike.

Kultivuan bimë narkotike në pyllin e fshatit, 4 të arrestuar në Vlorë

Policia e Vlorës ka sekuestruar një sasi bime narkotike dhe ka vënë në pranga 4 shtetas si kultivues të saj. Gjatë aksionit të koduar “Beshishti”, u sekuestruan 45 fidanë kanabis të mbjella në tokë dhe 100 kubikë të kultivuar me fara kanabis. Lënda narkotike u sekuestrua në pyllin e fshatit Beshisht, ndërsa u vunë në pranga 4 persona të kapur në flagrancë , konkretisht shtetasit S. Z., 24 vjeç, banues në Vlorë, D. H., 25 vjeç, banues në Llakatund, A. B., 34 vjeç, banues në Peshkëpi, P. K., 47 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë autorë të kultivimit të bimëve narkotike.

Po nga kontrolli i territorit në zonën e Selenicës, në një zonë të pyllëzuar në Gjormë u gjetën edhe 40 fidanë kanabis. Në lidhje me këtë ngjarje, u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre”  kryeplaku i fshatit Gjormë P. S., 49 vjeç,  dhe inspektori i Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Selenicë, A. V., 56 vjeç.

Mjeti del nga rruga, humb jetën 60-vjeçari në Vlorë

Dalja e mjetit nga rruga i ka marrë jetën një 60-vjeçari në Vlorë. Rreth orës 14:45 të ditës së dielë, në vendin e quajtur “Shkalla Mavrovë”, në aksin rrugor Kotë-Vlorë, një mjet tip Mitsubishi, ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit të  mjetit, që drejtohej nga një 55-vjeçar me inicialet Ç.S., banues në Orikum, është aksidentuar rëndë shtetasi Z.L., 60 vjeç banues në Vlorë.

I dëmtuari është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Vlorës, por nuk ka mundur të përballojë dot plagët e marra në aksident, duke humbur jetën në spital.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, që ka pësuar disa lëndime por pa pasoja për jetën, ëshstë shoqëruar në Komisariatin e Vlorës për kryerjen e mëtjeshme të hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Skip to toolbar