E akuzoi Vokshi, Spiropali: Shihemi në gjyq

Deklarata e Elisa Spiropalit se mazhoranca është e hapur për dialog me Lulzim Bashën për të reformuar sistemin zgjedhor, por jo për të prekur Reformën në Drejtësi, ka sjellë edhe një sërë akuzash ndaj saj nga Partia Demokratike. Akuzat e bëra nga Albana Vokshi, ka bërë që Spiropali ta padisë atë në gjykatë për shpifje.

Ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi akuzoi Spiropalin si “hajdutja e 5 milionë eurove në dogana dhe nëse do të kishte drejtësi të pavarur, do e kishte vendin në burg”. Gjatë deklaratës së saj, Vokshi nuk la pa akuzuar as Ramën, i cili nuk realizon dot zgjedhje të lira e të ndershme dhe për këtë fakt negociatat nuk dot hapen. I menjëhershëm ka qenë edhe përgjigjja e Spiropalit, duke i cilësuar si ‘ulëritje brutale” akuzat e Vokshit, ndërsa thekson se për këto shpikje trashanike do të përballet me gjykatën. Spiropali nuk ka hezituar t’i përgjigjet edhe në lidhje me zgjedhjet duke thënë se akuzat e hedhura ndaj qeverisë nuk mund të fshehin dot paaftësinë dhe mendjelehtësinë e Bashës për të fituar, i cili i trembet gjithmonë zgjedhjeve duke zgjedhur të largohet nga to.

Banaliteti ulëritës i Albana Vokshit nuk mund të mbulojë mendjelehtësinë proverbiale të Lulzim Bashës. Albana do të përgjigjet në gjykatë për akuzat e saj trashanike, kurse shefi i saj Luli, ka përpara gjyqin e votës së cilës i trembet si djalli temjanit” shkruan Spiropali.

Opozita joparlamentare ka mundësinë më të mirë për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme ashtu siç pretendon, duke bashkëpunuar me mazhorancën për Reformën Zgjedhore. Por refuzimi i PD për dialog, në vend që të pranojë ‘dorën e shtrirë të mazhorancës” për të reformuar kodin elektoral, të lë të mendosh se Basha vërtet i trembet zgjedhjeve dhe nuk mund t’i fitojë ato. Për të mbuluar këtë fakt, PD zgjedhje që të hedh akuza çdo ditë, në vend që t’i futet punës për të krijuar një sistem të drejtë, të lirë dhe të ndershme zgjedhor për të mirën e qytetarëve. Gabimet e shumta të Bashës në krye të PD dhe rritja e pakënaqësive brenda të vetëve, duket se e kanë bindur kryedemokratin se as një sistem i ri zgjedhor nuk e ndihmon dot atë për të shkuar në fitore./ realstory.al

PD nuk bindet: Gjonaj gënjen, hoteli është paguar për një person

Pas reagimit të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që përgënjeshtroi lajmet për çmimet e kripura të biletave të udhëtimit jashtë vendit dhe hoteleve ku është akomoduar, ka reaguar Partia Demokratike. Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, ka shkruar në rrjetet sociale, se Gjonaj gënjen. Sipas Vokshit, ministrja ka fjetur vetëm në hotel, që sipas saj vërtetohet nga faturat e publikuara,  të cilat “janë në emrin e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj”. Gjithashtu, po sipas Vokshit, ‘dhomat kanë qenë teke, ndërsa është paguar për 1 person, ku normalisht nuk mund të gjente strehë gjithë delegacioni, siç mashtron ministrja e Edi Ramës”, shkruan Vokshi.

Më tej, Albana Vokshi shkruan se askush nuk e ka detyruar “Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje”, që sipas ish-deputetes demokrate nuk janë kryer në kohë ‘bumi turistik’, që të mos ketë dhoma. “Edhe kontrollin e brendshëm e ka porositur sa për të larë duart me opinionin publik, që e refuzon luksin e qeverisë së vendit më të varfër në Europe! Askush nuk e ka detyruar Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje gjatë vizitave të saj, vizita të cilat nuk rezultojnë në kohë bumi turistik, që Etilda të mos gjejë një dhomë të zakonshme, pa shumë luks dhe komoditete të tjera speciale”.

Në fund, Vokshi ka dhe një tjetër pretendim, duke u shprehur se ministrja Gjonaj ‘gënjen’ për kohën e publikimit të lajmit. “Dhe, së fundi, zonja ministre e një qeverie hajdute gënjen edhe për kohën e publikimit të lajmit, i cili është shpërndarë parmbrëmë, jo para 24 orësh, siç përpiqet të mashtrojë Etilda, në mënyrë që të justifikojë heshtjen e gjatë për shpenzimin e parave publike si t’i kishte fituar në bixhoz”.

Skip to toolbar