Historike! Vajzat e Partizanit kualifikohen në turin e dytë të Champions League

Ngjarje historike. Ekipi i volejbollit për femra i Partizanit arriti të sigurojë kualifikimin në turin e dytë të Champions League. Pasi fituan në takimin e parë në Tiranë me rezultatin 3-1, ekipi i Partizanit në volejboll për femra, fitoi takimin e dytë ndaj skuadrës boshnjake Bimal-Jedinstvo, me rezultatin 2-3. Vajzat e kuqe fituan setin e parë të takimit me shifrat 21-25 duke dominuar.

 Në të dytin, ato pësuan një rënie në lojën e tyre, duke bërë që boshnjaket të fitojnë setin me shifrat 25-19. Seti i tretë foli përsëri për vajzat shqiptare, të cilat fituan me rezultatin 18-25. Duke fituar këtë set, vajzat e kuqe siguruan automatikisht kalimin në turin tjetër, por ato nuk u ndalën me kaq. 

Seti i katërt u fitua nga boshnjaket me shifrat 25-21, ndërkohë që seti final pa lojtaret e kuqe triumfuese, të cilat arritën të fitojnë me shifrat 13-15. Pas kualifikimit në turin tjetër, vajzat e Partizanit do të përballen në turin tjetër të Champions League ndaj ekipit hungarez të Vasas. Kampionet e Shqipërisë kanë bërë një paraqitje fantastike, duke bërë një hap historik në sportin e volejbollit në Shqipëri.

Champions-volejboll, Partizani thyen kampionet e Bosnjes

Skuadra e Partizanit në volejboll për femra, shkroi historinë mbrëmjen e të mërkurës. Në pallatin e sportit “Feti Borova”, vajzat e kuqe, mundën 3-1 skuadrën Jedintsvo Brcje, takim i vlefshëm për turin eliminator të Champions League. Skuadra e drejtuar nga turku Nejat Sançak bëri paraqitje të shkëlqyer duke triumfuar ndaj kundërshtareve boshnjake.

Në fakt, fitorja erdhi me përmbysje, pasi skuadra e Partizanit e nisi keq duke u mundur në setin e parë me rezultatin 25-15 nga ekipi mik. Më pas, vajzat e kuqe, triumfuan në setin e dytë me rezultatin 25-22.  Në dy setet e tjera, ekipi i Partizanit arriti të fitonte me rezultatin 25-20 (në setin e tretë dhe të katërt), duke arritur një rezultat të shkëlqyer në takimin e parë.

Ndeshja e kthimit do të luhet në Bosnjë. Ekipi i Partizanit të femrave është pothuajse i ndryshuar, në krahasim me atë të disa muajve më parë që u shpall Kampione e Shqipërisë. Kujtojmë se skuadra kundërshtare e ekipit të femrave të Partizanit, është kampione e Bosnjes për sezonin e shkuar.

Pas Edi Rejës, një italian tjetër për kombëtaren e femrave

Një tjetër italian vjen në drejtimin e ekipeve kombëtare shqiptare. Pas Edi Rejës që mori drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit, Luca Secchi do të jetë trajneri i ri i ekipit kombëtar të femrave në volejboll.

44-vjeçari ka nënshkruar sot një kontratë me Federatën Shqiptare të Volejbollit. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë trajnerin Altin Martiri, i cili që nga dita e sotme do të ketë pozicionin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare të femrave pranë FSHV-së.

Secchi është prezantuar gjatë një konference për shtyp të organizuar nga FSHV-ja, ku të pranishëm kanë qenë presidenti Erlind Pëllumbi, sekretari Albens Vokopola, gazetarë e të ftuar nga fusha e volejbollit. Trajneri i ri do të nisë menjëherë nga puna, teksa do të zbresë në parket këtë fundjavë në kryeqytet për një seleksionin me moshat e më pas edhe disa qytete të Shqipërisë, për të nisur disa zbore.

Luca Secchi është një trajner që e njeh volejbollin shqiptar, pasi është ai që ka promovuar Erblina Bici të debutojë në Serine A të kampionatit Italian. Volejbolliste që më parë kishte spikatur në ndeshjet e Europa League me fanellën kuqezi, duke u renditur si pikëshënuesja e dytë më e mirë e kompeticionit.

Ai është një trajner që punon shumë me moshat e reja, në zbulim të talenteve, ku Federata Italiane e Volejbollit e ka pasur pjesë të stafit të kombëtareve të moshave.

Volejboll femra, Partizani mbron titullin edhe për këtë sezon!

Partizani në volejboll për femra është kampion i Shqipërisë edhe për sezonin aktual. Vajzat e “kuqe” kanë mundur këtë pasdite Tiranën në finalen e tretë të play-off, duke mbrojtur titullin e sezonit të shkuar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Roland Tarja kanë bërë një sezon të mirë, duke fituar dhe tre finalet në fazën paly-off.

Ndeshja e tretë finale e luajtur sot në “Fahrie Hoti” ishte mjaft emocionuese, madje dramatike dhe me shumë rivalitet, ky të dyja skuadrat dueluan fort për fitoren.

Një takim që zgjati 2 orë e 25 minuta, ku gjithçka u vendos në setin final. Tirana u tregua një kockë e fortë, duke shpresuar deri në fund të ndalë të kuqtë, por u dorëzua në setin final.

Partizani, një ekip më i kompletuar, bëri diferencën në momentet vendimtare, duke u shpallur kampion dhe duke festuar gjatë këtë titull.

Skip to toolbar