Cilës gjykatë t`i besojmë? Tre vendime të ndryshme për zgjedhjet e 30 qershorit

Gjyqtarja Mimoza Margjeka në Gjykatën e Durrësit, vendosi të mos i jepte mandatin e kryetares për Bashkinë Durrës, të zgjedhurës së PS në 30 qershor, Valbona Sako. Në vendimin e Gjykatës së Durrësit argumentohet se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme, pasi sipas gjyqtares Margjeka, partia Bindja Demokratike nuk është regjistruar brenda afateve ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ky vendim, bie ndesh me vendimet e gjykatave të tjera në vend, që deri më tani kanë konfirmuar disa nga bashkiakët e rinj të zgjedhur në 30 qershor. Megjithatë, veç këtij precedenti, një tjetër precedent është vendosur nga Gjykata e Tiranës. Ajo ka shpallur moskompetencë për kërkesën e kandidatit të PS, në bashkinë e Vorës Agim Kajmaku, duke refuzuar njohjen e mandatit të tij në mënyrë indirekte dhe dërgimin e kërkesës në Gjykatën Administrative.

Gjykata bazuar në nenet 61/1 e 62 të Kodit të Procedurës Civile, nenit 60(1), të ligjit nr.139/2015 “Për vetëeverisjen vendore”, si dhe nenin 72 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, i ndryshuar, vendosa: Shpalljen e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes me nr.10727 akti, dt. Rregj 11.07.2019, me kërkues Agim Kajmaku”.

“Dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Kundër  këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë, brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. U shpall sot në Tiranë më 15.072019”, shkruhet në vendimin e gjyqtares Ariana Gunbardhi (Caco).

Tre vendime të ndryshme, kaotike në përmbajtjen e tyre, që vërteton dhe njëherë se sistemi gjyqësor në Shqipëri i lexon ligjet në kontekste të ndryshme. Gjithashtu, tre vendimet e ndryshme, (nga njohja e mandateve, moskomptenca dhe refuzimi i tyre), të bëjnë të ngresh pyetjen, cilës gjykatë t`i besojmë?/Realstory.al/

Skip to toolbar