Taulant Balla dhe Blendi Klosi kanë qenë
pasditen e sotme në Prrenjas ku kanë prezantuar kandidatin e Partisë Socialiste
për kryetar bashkie, Nuri Belba.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Grupit
Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se zgjedhjet lokale do të mbahen më
30 qershor, ndërsa ka shtuar se Edi Rama do të marrë mandatin e tretë qeverisës
në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
“PS ka marrë besimin e shqiptarëve për të bërë shtet. Shteti fillon nga respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve. Zgjedhjet më 30 qershor janë detyrim kushtetues”.
“Askush nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Ligji jep ndëshkim për këdo që do të cënojë zgjedhjet. Në 2021 Edi Rama do të marrë mandatin e tretë”.
Erion
Veliaj, i pranishëm në Konferencën Kombëtare “Forcimi i dialogut mbi financat e
qeverisjes vendore”, është shprehur se nëse zgjedhjet për pushtetin lokal nuk
do të mbahen në datën 30 qershor, shtyrja e tyre do të ketë pasoja për qytetarët.
“Nuk jemi vetëm një turmë militantësh të kuq dhe blu, por jemi edhe njohës të ligjit, sepse kemi shërbyer 4 vite në bashkitë tona. Ju e dini fare mirë që mbas datës së betimit nuk mund të nënshkruajmë asgjë, as për hapjen e varreve të reja, sepse duam s’duam nesër do të ketë nevojë për varre të reja, as për të çuar qumështin, sepse duam s’duam ne, fëmijët duan të pijnë qumësht në çerdhe e kopshte, kështu që futemi në qorrsokak ligjor prej aventurierësh”, tha Veliaj.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës, u shpreh se shpreson që në zgjedhjet e 30 qershorit të ketë alternativa konkrete, që do të jenë në shërbim të qytetarëve.
“Shpresoj shumë që në 30 qershor të kemi alternativa konkrete se si mund t’i bëjmë qytetet tona më të mira. Le të mos i ngatërrojmë dramat e disa politikanëve me nevojat që ka qyteti për t’u pastruar çdo ditë, që të hapen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, që qyteti të çelë sezonin turistik. Ne nuk mund të themi që për hir të partisë nuk do të pastrojmë Tiranën nesër sepse kështu kemi vendosur. Ndaj, këto 38 ditë është momenti për të reflektuar dhe duhet ta falenderoj publikisht USAID-in dhe Ministrinë e Financave që na ka dhënë dokumentin më të mirë të reflektimit dhe të përballjes me zgjedhësit tanë në 30 qershor”, deklaroi Veliaj.
Në konferencën e organizuar nga Ministria e Financave, Erion Veliaj u ka sygjeruar dhe drejtuesve të tjerë të bashkive, që të rrisin bashkëpunimin me privatët në dobi të qytetarëve. “Unë mendoj që nëse secili prej nesh të ushtrojë autoritetin si drejtues i pushtet vendor, jam i bindur se do të marrim maksimumin edhe nga privatë, të cilët mund t’i adoptojmë për punë të vogla. Kështu bëmë çerdhet dhe kopshtet, po ashtu edhe konviktet”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputeti Ulsi Manja, kanë qenë të pranishëm në nisjen e punimeve për ndërtimin e një shkolle të re më kopësht të integruar, në zonën e “Don Boskos”. Gjatë fjalës së tij në inspektimin e punimeve për ndërtimin e shkollës “Kristo Frashëri”, Veliaj u shpreh se falë këtyre investimeve në infrastrukturën arsimore, në Tiranë po merr fund arsimi me dy turne.
“Poli i parë ishte tek Universiteti Bujqësor, ku filloi shkolla “Nënë Tereza”; poli i dytë është ky ku jemi sot, me shkollën “Kristo Frashëri”; poli i tretë është tek rrethrrotullimi“Shqiponja”, ish Reparti Ushtarak, ku do të fillojë edhe një shkollë tjetër; poli i katërt do të vazhdojë në zonën e Astirit, ku kryqëzohet me Lanën. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë tranzit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se në zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohet një referendum për mënyrën se si do të vijojë Tirana. “E kuptoj që detyra kryesore e deputetit është të përfaqësojë në Parlament, ama në përballje me qytetarët, pjesa më e madhe e problematikës janë shkollat, kopshti, çerdhja, uji, dritat, ndaj jam i lumtur që për Laprakën, për Njësinë 11, po punojmë në shumë fronte. Në 30 qershor e kemi garën me veten”.
“Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”, tha Veliaj.