Presidenca e “zgjedhorja”, Sekretari i OSBE pret delegacionin e Kuvendit

Deputetët anëtar të Komisionit të Integrimit Europian, Rudina Hajdari, Senida Mesi dhe Ralf Gjoni, zhvilluan një takim zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Roberto Montella. Takimi i mbajtur në Kopenhagen të Danimarkës, sipas një njoftimi të bërë nga delegacioni i OSBE-së në Tiranë, pati në fokus disa çështje, përfshirë vendimin e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE si dhe procesi i reformës zgjedhore dhe gjyqësore.

Gjithashtu, në takim është diskutuar edhe për marrjen e Kryesisë së radhës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020. Sipas njoftimit, mësohet se “Sekretari i Përgjithshëm Montella theksoi se Kryesia e ardhshme e Radhës është një përgjegjësi dhe mundësi për mbarë vendin, si dhe një proces në të cilin duhet të përfshihen dhe bashkëpunojnë të gjithë aktorët kombëtarë, përfshirë Kuvendin. Po ashtu, ai përsëriti mbështetjen e fortë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Shqipërinë dhe shprehu shpresën për të forcuar më tej bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë vizitës së pritshme të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare, në Shqipëri, në nëntor”.

Ai citohet të jetë shprehur se “OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë dhe unë kam besimin që Shqipëria do të jetë në gjendje ta çojë përpara axhendën e OSBE-së, në frymën e përgjegjësisë dhe pronësisë së përbashkët”. Në takim është diskutuar edhe për tryezën e Reformës Zgjedhore organizuar nga OSBE pak ditë më parë në Tiranë. Sekretari i kësaj organizate në bashkëbisedimin me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, shprehu besimin se “të gjitha palët do të vijojnë të jenë të përkushtuara në procesin e reformës zgjedhore, përfshirë përfaqësuesit e qeverisë, opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare, shoqërisë civile, si dhe ekspertë vendas e të huaj”.

Skip to toolbar