Danezët, kundër vendeve të Ballkanit në BE

Danezët janë kundër zgjerimit të BE-së. Ky është rezultati i një sondazhi të realizuar nga Instituti i Statistikave në Danimarkë, pikërisht në kohën kur integrimi në Bashkimin Europian është kthyer në një mision për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë.

Sipas sondazhit, 46% e të anketuarve treguan se ishin kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Ndërsa vetëm 20% votuan pro. “Zgjerimi ka çuar në një BE më të madhe dhe më shumë stabilitet në rajonin e Ballkanit, por lëvizja e lirë nuk ka sjellë gjithmonë ndryshime pozitive, të tilla si në lidhje me Rumaninë”, deklaroi Peter Nedergaard, profesor në shkencat politike në Universitetin e Kopenhagenit. “Shumë rumunë po sillen mirë, por ka edhe disa që nuk e bëjnë këtë gjë. Për shembull, ka histori rreth bandave të hajdutëve që grabisin dhe pastaj kthehen në shtëpi. Është e pamundur që njerëzit të kenë frikë të shtojnë Islandën ose Norvegjinë, por më tepër vendet e Ballkanit apo Turqinë”, përfundoi ai. Që nga themelimi në 1952 nga anëtarët themelues si Francës, Holandës, Belgjikës, Italisë, Gjermania Perëndimore dhe Luksemburgu, BE ka pësuar zgjerime shtatë herë. Danimarka, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda u bashkuan në vitin 1973; Greqia në vitin 1981; Portugalia dhe Spanja në vitin 1986; Finlanda, Suedia dhe Austria në vitin 1995; Qipro, shtetet baltike, Malta, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Republika Çeke dhe Hungaria në 2004; Bullgaria dhe Rumania në vitin 2007; dhe Kroacia në vitin 2013.

Skip to toolbar