Si çdo verë, Greqia përfshihet nga flakët edhe këtë të shtunë. Mediat greke raportojnë se një zjarr i madh ka rënë në një zonë me pyje në ishullin e Lefkadës, një destinacion turistik shumë i vizituar, jo vetëm nga të huajt por edhe nga shqiptarët.
Sipas autoriteteve zjarri po përhapet me shpejtësi, ndërsa për fikjen e tij janë angazhuar 12 reparte zjarrfikës dhe dy avionë ujëmbajtës.
“Ekathimerini” raporton se zjarri është përhapur në një pyll me pisha dhe po përhapet me shpejtësi për shkak edhe të erërave të forta.
Zjarri i frikshëm që dogji vitin që kaloi (korrik 2018) rrethinat e Athinës shënoi një bilanc të rëndë prej 81 viktimash dhe mbi 200 të plagosur mes tyre dhe shqiptarë që jetonin apo pushonin në shtetin fqinj.