Pasojat e pariparueshme të zjarreve në Amazona

Deri në fund të periudhës së thatësirës së verës mund të zgjasin djegiet masive të pyjeve në Amazona e të çojnë në shuarjen përfundimtare të disa lloj drurëve. Përmasat e fatkeqësisë ende nuk llogariten.

“Ne nuk e dimë sa vatra zjarri nga arat do të kalojnë në pyje”, thotë Paulo Brando, ekspert i Institutit të pavarur brazilian për Studimin e Mjedisit në rajonin e Amazonës, IPAM. “Momentalisht pamjet e satelitëve të tregojnë vetëm ekzistencën e zjarreve.” Ka disa javë që zjarret në Amazona kanë tërhequr vëmendjen e botës. Krahasuar me një vit më parë numri i vatrave të zjarrit është rritur me 82%. Vetëm në gusht janë llogaritur 26.000 vatra zjarri.

“Dita e zjarrit”

Shumica e këtyre vatrave janë të regjistruara në shtetin federal të Paras. Prokuroria po heton kundër fermerëve në kuadër të “Ditës së Zjarrit”. Një grup syresh duket se ka vënë në masë të gjerë zjarret për përftim të tokës së punueshme më 10 gusht. Ky aksion duhej të mbështeste presidentin brazilian, Jair Bolsonaro.

Gazeta lokale “Folha de Progresso” raportoi fillimisht për zjarret në jug të shtetit federal Para. “Ne duhet t’i tregojmë presidentit, se duam të punojmë, dhe kjo bëhet vetëm me heqjen e drurëve.” Për të pastruar këto toka, kemi nevojë për zjarrin”, citon gazeta një nga organizatorët.

Sipas informacioneve të prokurorit Paulo de Tarso shumica e zjarreve janë vënë në zonat federale që janë zona të mbrojtura natyrore. Këto zona janë gjithmonë të ekspozuara ndaj sulmeve të pronarëve të mëdhenj të tokave, spekuluesve apo pronarëve të minierave. Prokuroria heton edhe rënien e kontrolleve shtetërore dhe mungesën e mbështetjes për autoritetin brazilian të mjedisit, Ibama.

Prokurori thotë, se “është hequr dorë nga shuma të mëdha, që Brazili merr nga fondet e Amazonës kundër çpyllëzimit”, duke iu referuar ndihmave financiare të pezulluara nga Norvegjia dhe Gjermania për fondin e mbrojtjes së Amazonës. Gjatë samitit të  G7-s në Biarritz, presidenti Bolsonaro e refuzoi sërish një ndihmë të menjëhershme për shuarjen e zjarreve në Amazona.

Më të rrezikuara nga djegiet janë veçanërisht sipërfaqet e dëmtuara nga prerja e drurëve. “Nëse në pyjet e mëdhenj rriten hapësirat, ku drurët janë prerë apo në kërkim të pasurive nëntokësore, me pasojë fragmentarizimin e sipërfaqes pyjore, atëherë shtohen edhe sipërfaqet me drurë të tharë që ndizen shpejt”, shpjegon Paulo Borreto nga organizata joqeveritare, Instituti Imazon.

Nga ana tjetër kur ka periudha thatësire, pyjet vuajnë më shumë. Si strategji mbijetese drurët i lenë të bien gjethet. Po pa mbrojtjen e kurorës së pemës depërton më shumë diell në tokën e pyllit dhe tek drurët e tharë. Edhe gjethet e thara, temperatuarat e larta dhe një pyll i madh me hapësira pa dru brenda e rrisin rrezikun e zjarreve.

Pasoja të mëdha

“Në vitet me thatësirë shuarja e pyjeve mund të prekë deri në 90% të drurëve, sidomos në anët e pyllit”, raporton një studim i Institutit të pavarur brazilian, Ipam. Eksperti Paulo Brando, thotë, se “peizazhi ndryshon radikalisht”. “Ne shohim se si depërtojnë barërat dhe reduktimin e diversitetit biologjik.”

Këtij studimi i paraprin një periudhë vëzhguese prej 9 vjetësh. “Kemi konstatuar një degradim të vazhdueshëm. Kemi vëzhguar shuarjen e drurëve të mëdhenj, dhe periudha e gjallimit të drurëve ka rënë ndjeshëm”, thotë Brando.

Në rajonet, kur flora pas djegieve është përmirësuar disi, studimi tregon, se duhen të paktën 7 vite që pyjet e Amazonës të lëshojnë avuj në atmosferë dhe të përthithin dioksidin karbonik. Studimet në rajon tregojnë po ashtu, se biodiversiteti pëson dëmtime të pariparueshme pas një zjarri. Edhe nëse një pjesë e pyllit rigjenerohet, nuk rikthehet më shumëllojshmëria e drurëve.

Po ashtu kushtet klimatike nuk janë më të njëjta si në dekadat e shkuara. Rajoni i Amazonës është ndërkohë 1 grad më i ngrohtë, se para 60 vjetësh dhe periudha e thatësirës është 3 javë më e gjatë, se para 40 vjetësh, thotë eksperti i Ipam, Brando. “Ky nuk është një proces linear”, por “sa më shumë që ndryshon klima, aq më shumë rriten rreziqet që ndryshimet të jenë tronditëse.”/DW/

Zjarret në Amazonë, Bolsonaro: I hapur për ndihmë nëse presidenti francez kërkon falje

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro tha të martën se ishte i hapur për të diskutuar ndihmën e G7-ës për të luftuar zjarret në Amazonë, nëse homologu i tij francez Emmanuel Macron “tërheq fyerjet” e bëra kundër tij. Komentet e zotit Bolsonaro vijnë mes një përshkallëzimi të polemikave me zotin Macron lidhur me zjarret më masive ndër vite në Amazonë. Grupi G-7 të hënën premtoi dhjetëra miliona dollarë për të ndihmuar në luftën ndaj zjarreve në Amazon dhe mbrojtjen e pyjeve të saj.

Më herët një zyrtar i lartë brazilian kishte refuzuar ndihmën nga vendet e Grupit G-7 për të luftuar zjarret duke i thënë zotit Macron të kujdeset për “vendin e tij dhe kolonitë e tij”. Më pas Presidenti Brazilian u tha gazetarëve në kryeqytetin Brazilia se “zoti Macron duhet të tërheqë fyerjet që ai bëri kundër meje”

“Që ne të bisedojmë ose të pranojnë gjë nga Franca, me qëllimet më të mira të mundshme, ai duhet t’i tërheqë këto fjalë, dhe pastaj mund të flasim”. Pas takimit të grupit G-7, Presidenti Macron iu drejtua presidentit Brazilian Jair Bolsonaro duke thënë se “nuk mund të të lejojmë të shkatërrosh gjithçka”.

Në takimin e G-7 në Francë, grupi premtoi 20 milion dollarë, Britania 12 milion dollarë dhe Kanadaja 11 milion dollarë. Otava kishte ofruar gjithashtu dërgimin e aeroplanëve të zjarrfikësve në Brazil. Zoti Macron tha të martën se oferta për ndihmë nuk ishte cënim i sovranitetit. “Ne jemi një vend sovran kur kemi probleme të mëdha, e pranojmë solidaritetin ndërkombëtar me dashamirësi, sepse është një shenjë miqësie”, tha ai.

Presidenti Macron shtoi gjithashtu se ka nëntë vende në Amazon dhe ka shumë vende të tjera që kanë kërkuar ndihmë. “Për këtë arsye është e rëndësishme që të mobilizoheni shpejt në mënyrë që Kolumbia, Bolivia dhe të gjitha rajonet braziliane që dëshirojnë të kenë qasje në këtë ndihmë ndërkombëtare, të mund të përfitojnë”.

Macron të hënën dënoi komentet “jashtëzakonisht të vrazhda” që zoti Bolsonaro kishte bërë një ditë më herët. Bolsonaro u kundërpërrgjigj, duke akuzuar Macron se po e trajtonte Brazilin si “një tokë koloni ose tokë pa zot”. Ndërkohë Presidenti amerikan, Donald Trump shkruante sot në Twitter duke thënë se zoti Bolsonaro po punon intensivisht për të shuar zjarret në Amazonë dhe po bën një punë shumë të mirë për brazilianët. “Ai dhe vendi i tij kanë mbështetjen e plotës të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ai.

Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se ka pasur 1,659 zjarre të reja në Brazil mes të dielës dhe të hënës, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 82,285 – numri më i larti të paktën që nga viti 2013 – edhe pasi avionët ushtarakë dhe trupat kanë ndërhyrë për ndihmë,ndihmojnë në luftimin e flakëve. Ministri i Mbrojtjes Fernando Azevedo e Silva të hënën pretendoi se zjarret ishin “nën kontroll” dhe se situata është ekzagjeruar.

Ndërkohë zjarrfikësit në shtetin brazilian të Rondonias, vazhdojnë të hasnin vështirësi për të frenuar një zjarr që po përhapej me shpejtësi pranë një rezervati kombëtar pyjor të hënën. Zjarri është një nga mijëra flakët që kanë përfshirë në Amazon, pyllin më të madh tropikal në botë, në katastrofën mjedisore që ka ngjallur shqetësim global. Menaxheri lokal i fermave Willian Sabara dos Santos tha se pylli duhet të ruhet dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fermerët e vegjël.

“Mendoj se shpyllëzimi ka kohë që ndodh por vetëm tani është shtuar trysnia për ta ndalur. Nuk besoj se është intensifikuar aq shumë sa po thuhet. Po vihet në qendër të vëmendjes nga ato që po thotë Presidenti, por kështu është çdo vit: tym, zjarre të paligjshme”. Megjithëse rreth 60 përqind e Amazonës është në Brazil, pylli i gjerë përhapet gjithashtu në pjesë të tetë vendeve ose territoreve të tjera, përfshirë territorin e huaj francez të Guianës në bregdetin verilindor të kontinentit.

Bolsonaro – një skeptik i ndryshimit të klimës – është përballur me kritika në vendin e tij për përgjigjen e vonuar ndaj zjarreve dhe mijëra vetë kanë protestuar në Brazil ditët e fundit për të denoncuar shkatërrimin.

Shkrimtari brazilian Paulo Coelho, ndërkohë, doli në internet për të kërkuar falje – në frëngjisht – për sjelljen e Bolsonaro.

“Kjo është një video mjaft e trishtueshme për t’u kërkuar falje miqve të mi francezë për krizën – madje do të thosha histerinë e Bolsonaros në lidhje me Francën, presidentin francez, gruan e presidentit francez,” tha ai në një mesazh të postuar në Twitter.

Zjarri në Shëngjin shumë pranë banesave, në Gjirokastër djeg pyllin

Dy vatra zjarri kanë rënë të premten në zonën e Shëngjinit të Lezhës dhe në malin e Shëndëllisë në qarkun e Gjirokastrës.

Zjarri i rënë në kodrat mbi qytetin e Shëngjinit është shumë afër qendrave të banuara duke vënë në rrezik banesat dhe qytetarët. Zjarri masiv ka shkaktuar re të dendura tymi që kanë mbuluar Shëngjinin duke alarmuar pushuesit.

Në shuarjen dhe vënien në kontroll të flakëve përveç zjarrfikëseve është përfshirë edhe policia dhe ushtria, pasi zjarri ndodhet shumë pranë portit të Shëngjinit.

Prefekti i Lezhës, Gjokë Jaku në një lidhje telefonike për mediat tha se zjarri ka rënë në kurorat e pyjeve të qytetit, por që nuk ka rrezik për banesat. Ai tha se të vetmet që rrezikojnë janë varrezat e qytetit, por që 22 efektivë të Forcave të Armatosura dhe disa zjarrfikëse po punojnë në terren për shuarjen e flakëve.

Jaku u shpreh se zjarri ka rënë në një terren të vështirë dhe favorizohet nga era. Megjithatë Mirëdita, Burreli dhe Ministria e Mbrojtjes kanë dërguar zjarrfikëse për të përballuar situatën.

Në rast për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt qendrës së banuar, 4 forca zjarrfikëse janë vendosur pranë banesave për çdo të papritur.

Shëngjini mbulohet nga një re tymi prej zjarrit që ka shpërthyer në faqen e kodrës

Shëngjini mbulohet nga një re tymi prej zjarrit që ka shpërthyer në faqen e kodrës

Gepostet von Gazeta TemA am Freitag, 23. August 2019

Një tjetër vatër zjarri ka rënë në malin e Shëndëllisë ka ndodhur si rezultat i shpërthimit të dy predhave të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore. Flakët janë përhapur duke djegur zonën pyjore e kullota dhe për shkak të terrenit të vështirë, forcat zjarrfikëse thuajse e kanë të pamundur të ndërhyjnë. Zjarri ka rënë në majën e malit të Shëndëllisë , që bashkon Tepelenën me Memaliajn.

Zona në fjalë përbën rrezikshmëri, për shkak se kanë mbetur shumë predha të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të cilat nuk janë çmontuar.

Për zjarret në vend ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili është shprehur i shqetësuar për përhajen masive të tyre. Meta i ka bërë thirrje  Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, njësitë e Emergjencave Civile, si dhe drejtuesit e pushtetit vendor në këto qarqe, për marrjen e menjëhershme të të gjitha masave efektive të emergjencës, për të neutralizuar vatrat e zjarrit dhe për t’iu ndodhur pranë qytetarëve të cilët mund të rrezikohen nga përhapja masive e tyre.

Skip to toolbar