Drekoi me zyrtarin e DASH, Rudina Hajdari tregon detaje: Ja për çfarë u interesua

Gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, Drejtori për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, pati dhe një drekë pune me deputetët e opozitës parlamentare në Kuvend. Rudina Hajdari, pjesë e këtij takimi, ka zbuluar detaje nga biseda e Kostelancik me deputetët e opozitës parlamentare. Sipas Hajdarit, zyrtari i DASH ishte shumë i interesuar për Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetarja e komisionit për këtë reformë, deputetja e djathtë, u shpreh se shpreson që Reforma Zgjedhore të bëhet kusht ndërkombëtar ashtu si Reforma në Drejtësi.

“Ai erdhi në Tiranë për të parë situatën poltike. Ishte shumë i interesuar për reformën zgjedhore. Kostelancik shprehu dëshirën për t’u takuar dhe me anëtarë të tjerë të komisionit të Reformës Zgjedhore. Folëm dhe për kërkesat që grupi opozitar ka për sistemin zgjedhor. Nuk jemi thjesht për adresimin e kërkesave të OSBE-ODIHR, por për ndryshimin e sistemit zgjedhor. E kemi thënë që prej fillimit. Takimi me Kostelancik zgjati 90 minuta. E pranishme ishte zëvendës ambasadorja e SHBA-së. Ajo ishte shumë e hapur për reformën. Shpresoj që reforma zjgedhore të bëhet kusht ndërkombëtar si për Reformën në Drejtësi. Duhet që pas 30 vitesh të kemi zgjedhje jo të kontestuara’’, deklaroi Hajdari.

Kryetarja e Grupit Parlametar të deputetëve të djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari gjatë fjalës në një studio televizive, ku është shprehur se ‘nuk është penduar’ që nuk dogji mandatin e deputetes. Gjatë fjalës së saj, Hajdari ka thënë se ‘lufta bëhet në Kuvend’ dhe jo jashtë tij. “Zgjodha rrugën e duhur, jo vetëm unë por i gjithë grupi parlamentar, për të thënë që është djep i demokracisë dhe përballë çdo lloj qeverie, i vetmi vend ku mund të përballemi është parlamenti, aty bëhen ligjet.” u shpreh Hajdari. E kritikuar vazhdimisht për lapsuset e saja gjuhësore, të cilat kanë ardhur shpesh për shkak të jetës për një kohë të gjatë në SHBA, Rudina Hajdari është shprehur se për të nuk përbën problem. Ajo thotë se kritikat ndaj saj, vetëm për shkak të lapsuseve, e bëjnë më të fortë, ndonëse tregon që i ndjek shumë pak rrjetet sociale.

“Të bësh gabime është njerëzore nuk jam njeri perfekt, kam gabimet e mia, nuk është problem për shqiptarët. impenjimi kryesor, të shpalos gjëra te reja e problematika që shqetësojnë shqiptarët sot dhe të mos tërheqin vëmendjen. Nuk është e lehtë të bësh deklarata të tilla, por është e nevojshme duhet një njeri që të thotë atë ç’ka po ndodh. Jam mësuar tashmë, kritikat më bëjnë më të fortë nuk më shqetësojnë, rrjetet sociale mundohem mos i ndjek shpesh është krijuar një rreth vicioz ndoshta edhe i koordinuar. “ u shpreh Hajdari.

Gjithashtu, Hajdari ka folur edhe për mundësinë e krijimit të një partie të re. Ajo është shprehur se nuk e përjashton këtë mundësi, por sipas saj, nuk është momenti i duhur për të diskutuar krijimin e një fraksioni të ri politik. “Qytetarëve u intereson fakti që të kenë përfaqësues sa më të mirë. Nuk është lehtë të krijosh parti. Kur drejton parti ke përgjegjësi të tjera. Nuk është një precedent i lehtë. Nuk e përjashtoj si opsion. Nuk kam frikë nga kjo gjë. Por nuk është momenti i duhur për ta diskutuar’’, u shpreh Rudina Hajdari.

Skip to toolbar