Ministria e Infrastrukturës ka miratuar udhëzimin e ri përmes të cilit përcaktohen rregullat e reja dhe kushtet që duhet të plotësoni për të mbajtur makina me xhama të zinj ose t’i errësoni xhamat në rast se nuk i keni të tillë. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Rrugore, Blendi Gonxhja njofton se ministrja e Infrastrukturës ka firmosur udhëzimin e ri dhe në datën 21 Tetor do të hartohet rregullorja që do të shpërndahet në të gjitha drejtoritë rajonale. Duke nisur nga kjo datë të gjithë të interesuarit mund të errësojnë xhamat e makinave.
Në udhëzimin e firmosur nga ministrja e infrastrukturës shkruhet se çdo xham i homologuar që vishet me material të homologuar duhet të miratohet nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Xham i errët do të konsiderohet xhami i veshur me material të homologuar me tejshkueshmëri drite më pak se 70%. Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor në autovetura. Përjashtimisht lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme me një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125mm.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor pasi të miratojë errësimin e xhamave do të lëshojë certifikatën përkatëse sipas modelit të miratuar, për xhama të errësuar me materiale të fabrikuara dhe të homologuara nga prodhuesi. Organet e përcaktuara për të kryer kontrollin teknik të autoveturave nuk duhet të kryejnë kontrollin teknik tek ato autovetura me xhama të errësuar të pa miratuar dhe certifikuar nga DPSHTRR. Brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi do të miratohet tarifa përkatëse për këtë shërbim.