Tarifa: Sa shumë “gazetarë”, sa pak gazetarë!

Më të fundit


Nga Fatos Tarifa

Hiq gjashtë a shtatë, ndoshta tetë ose dhjetë, të tjerët nuk e di se ç’janë. Duhej të ishin gazetarë. Thonë se janë gazetarë. Shumica pëlqejnë të vetëquhen “TV anchors”, njëlloj si një vajzë e re “firifiu”, rreth të njëzetave, që kur u pyet për profesionin e saj nga moderatorja po aq “firifiu” e një programi televiziv, u prezantua, me një krenari groteske, si një “influencër”!


Lexuesve të moshuar të kësaj gazete dhe atyre që nuk e dinë se çdo të thotë të jesh sot një “influencer”, u them se të tillë (vet)quhen ata njerëz, kryesisht të paspikatur për asnjë talent apo punë të dobishme dhe krejt anonimë për publikun e gjerë, të cilët, përmes një profili virtual, të orientuar kryesisht nga një stil vanitoz jetese, nga moda apo imazhe gjysmëpornografikë, kanë një numër të madh ndjekësish online.

Në perëndim, “TV anchors” janë figura të njohura të gazetarisë televizive. Kushdo që ka parë ose sheh ndonjë prej rrjeteve televizivë kabllorë më të njohur—CNN, MSNBC, CBS, ABC, FOX News, BBC, Al Jazeera, ose kanalet televizivë më të njohur në Francë, Gjermani apo në Italinë fqinjë—e di fare mirë se çdo të thotë të jesh një “TV anchor”, ose një “News anchor”.

A u ngjajnë gazetarëve të tillë, edhe atyre më pak të njohur ose të rinj në këtë rol, “gazetarët” e studiove tona televizive për nga formimi kulturor e intelektual, për nga kualitetet profesionale dhe për nga gazetaria televizive që bëjnë?

Thashë edhe më sipër: shumë pak prej tyre, gjashtë a shtatë, ndoshta tetë ose dhjetë, pra aq sa mund të numërohen me gishtat e një dore ose të të dyja duarve, janë gazetarë të mirëfilltë, disa edhe gazetarë shumë të mirë.

Këta janë kryesisht ata gazetarë që u lindën në mesin dhe në fundin e viteve 1960 apo në fillim të viteve 1970, u shkolluan si të tillë në fundin e viteve 1980 dhe nisën ta ushtrojnë profesonin e gazetarit në periudhën “postrevolucionare”, nga viti 1992 e këtej. I përkasin pak a shumë të njëjtit brez dhe të gjithë e nisën veprimtarinë gazetareske në organet e shtypit që u krijuan bashkë me lirinë e fjalës e të shtypit në fillim të viteve 1990. Disa prej tyre janë autorë librash, të tjerët kanë lënë emrin e tyre në shtypin shqiptar para (jo më pas) se të angazhoheshin në gazetarinë televizive dhe vazhdojnë të shkruajnë edhe sot.

Po të tjerët?! Nëse ke pak kohë dhe durim të shohësh se ç’ndodh në shumë prej televizioneve të vendit, vë re lloj-lloj “gazetarësh” që “japin” lajme, drejtojnë biseda me të ftuar—“opinionistë”—në studio, ulur pas tryezave të stërmëdha apo në këmbë, ose kanë programet e tyre “signature”, me emërtime (thuajse të gjitha) në anglisht, prezantuar në ekrane me emrat e tyre: (emision) nga Monika Kote, ose …nga Afrim Ndoka, …nga Laura Kryemadhi etj.

Sigurisht, këta janë emra fiktivë që unë i sjell këtu për të provuar argumentin që dua të shtjelloj. Pa dyshim programet e televizoneve tona kërkojnë njerëz që t’i drejtojnë ato orë pas ore e ditë pas dite. Është veçse e natyrshme që shumica e tyre kërkohet të jenë gazetarë, të formuar në këtë profesion, jo thjesht të diplomuar në gazetari. Asnjë diplomë nuk të bën profesionist në një fushë të dhënë.

Duke gjykuar nga mënyra se si flasin, nga pyetjet dhe ndërhyrjet që bëjnë vend e pavend, nga gjuha e partikuluar që përdorin, nga fjalori tepër i varfër që kanë dhe nga gramatika plot gabime (fjala vjen duke përdorur nyjën e gabuar për mbiemrat e nyjshëm femërorë ose mashkullorë) kur ligjërojnë ose komunikojnë me ata që ftojnë në studio (ky është një problem më vete) dhe me publikun që i ndjek, madje edhe kur u duhet të lexojnë një tekst të shkurtër në teleprompter, në ekranin e studios, ose në fletët e shënimeve që mbajnë mbi tryezë, kupton se shumë prej tyre nuk i lidh asgjë me gazetarinë. Asgjë.

Shumë prej tyre mund të kenë një portofol dhe një histori punësimi sepse shtegtojnë nga një televizion në tjetrin, por pak, shumë pak prej tyre meritojnë të quhen gazetarë. Unë nuk besoj se mund të jesh një gazetar i mirë televiziv nëse nuk ke provuar (ose nuk di e nuk mund) të shkruash një koment, një reportazh apo një analizë gazetareske për një çështje, për një dukuri apo një ngjarje të caktuar dhe t’ia ofrosh atë për gjykim lexuesit të informuar. Nuk mund të ulesh përballë timonit të një automjeti dhe të marësh drejtimin e tij nëse më parë nuk je ushtruar si shofer dhe nuk ke dhënë prova se di ta bësh në mënyrë të sigurt këtë punë.

Sa herë mbetemi të çuditur, të zhgënjyer e jo rrallë të skandalizuar nga gazetarët e televizioneve tona—duke nisur nga orët e para të mëngjesit, kur na njohin me pasqyrën e shtypit të përditshëm, në studiot e emisioneve të paraditës që mund t’i moderojë kushdo, në edicionet e lajmeve, në studiot e emisioneve të pasdites, të mbrëmjes dhe në ato të orëve të vona, shumë herë plot kakofoni e ndonjëherë të mbushura me sharje, fyerje e vulgaritet.

Shqipëria ka pasur gazetarë të talentuar edhe para viteve 1990. Dekada e fundit e shekullit të kaluar, gjithashtu, afirmoi një numër gazetarësh të rinj shumë të mirë. Atëherë ata ishin në të njëzetat; sot janë në mesin e të pesëdhjetave, ndonjë edhe pak më shumë. Por janë pak. Kanë mbetur ata që ishin. Nuk shohim sot gazetarë të rinj që të dinë të shkruajnë si brezi para tyre. Shumica e atyre që bëhen sot gazetarë televizivë apo “TV anchors” shfaqen në ekran—dhe mbeten në ekran—pa shkruar kurrë një faqe gazetari.

Këtë mungesë experience profesionale, që s’mund të quhet ndryshe veçse diletantizëm, e ndeshim çdo ditë kur shohim se në një mënyrë aspak profesionale, të papërshtatshme, të painformuar, sipërfaqësore, plot gabime e gafa i serviren publikut lajmet, shumë rubrika dhe emisione televizive mbi çështje të rëndësishme.

Kjo rrethanë më kujton titullin e një kënge folk të njohur amerikane nga mesi i viteve 1950, që titullohej: “Where Have All the Flowers Gone”? Sot unë mund të thoja: “Where Have All the Journalists Gone?”

Botuar në DITA




Skip to toolbar