“Task Forcë” për naftën/ Malaj: Kontrolle në terren edhe për rezervën

AKTUALITET


Task Forca e ngritur pas shtrenjtimit të naftës për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme do të zhvilloj kontrolle në terren për të shmangur shtrenjtimin e pajustifikuar të naftës.Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se do të  monitorohet tregu për të shmangur spekulimet ndërsa theksoi se ende nuk ka nevojë për një bord transparence.

Ministri i financave Petrit Malaj tha se kontrolli do të fokusohet jo vetëm në dokumentacionin doganor apo tatimor, por edhe në kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave theksoi se do monitorohet çdo shitje e cila duhet të jetë e regjistruar fiskalisht dhe karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.

Ndërkohë në portin e Durrësit ka mbërritur anija e parë me karburant që prej nisjes së tensioneve dhe luftës në Lindjen e Mesme. Anija është ankoruar në zonën portuale të Porto Romano, duke sjellë një sasi prej rreth 100 mijë ton karburant.

Sipas burimeve , kjo ngarkesë konsiderohet një furnizim i rëndësishëm për tregun vendas, në një moment kur zhvillimet gjeopolitike në rajonin e Lindjes së Mesme kanë shtuar pasiguritë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.



Skip to toolbar