Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtues politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla në kuadër të analizës post zgjedhore zhvilloi një takim me strukturat e PS në Bashkinë e Belshit.
Duke vënë në dukje rezultatet e mira, por edhe detyrat në vijim, Balla tha se Belshi vlerësoi investimet e jashtëzakonshme të bëra në këtë bashki nga Qeveria Shqiptare. Duke folur për situatën politike, numri dy i PS Balla tha se Partia Socialiste është e gatshme për dialog me aktorët e tjerë politikë për çështje të rëndësishme të vendit, por asnjëherë nuk negociohet implementimi i Reformës në Drejtësi.
“Është bërë zakon që sa herë që mbaron një fushatë, duhet të mendojmë për betejën e radhës. Beteja jonë e radhës janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, zgjedhje të tjera nuk ka më. Ata që dalin çdo natë në TV, nga presidenti që tashmë është një nga drejtuesit e opozitës në Shqipëri, apo kushdo tjetër duhet ta dinë që zgjedhjet vendore u përmbyllën në 30 Qershor”, deklaroi Balla.
Ai ka përsëritur thirrjen për opozitën jashtëparlamentare për dialog. “Ne jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë dhe të diskutojmë me Partinë Demokratike rrugore, por pikë së pari me ata që kemi në Kuvend, pikërisht për sfidat e rëndësishme të vendit, por këtu nuk përfshihet asnjë lloj negociate për Reformën në Drejtësi”, u shpreh Balla në Belsh, ku foli edhe për investimet e domosdoshme për këtë qytet, që sipas tij, një prej tyre është uji i pijshëm.