Të fortët në zgjedhje, debati në Real Story mes Lubonjës, Vasjarit dhe Bushatit

POLITIKË


Analisti Fatos Lubonja ka deklaruar në Real Story se partitë politike janë nën influencën e të fortëve, duke akuzuar këtu edhe kryeministrin Rama se promovon të fortët për t’i siguruar votën, ndërsa diskutonin për çështjen e Valdrin Pjetrit në Shkodër, por kjo ka hasur në kundërshtitë e ish ministrit të jashtëm, i cili ka mbajtur një tjetër qëndrim për këtë çështje. Ndërkohë, Arjan Vasjari ka deklaruar se dramat këtij vendi i kanë ardhur nga persona më dëshmi penaliteti të pastra.

“Ne e dimë të gjithë se ai njeri (Pjetri) që është zgjedhur aty është zgjedhur se ai të merr votën, të kontrollon Shkodrën dhe është realitet në Shkodër, thotë kryeministri juaj. Që domethënë që këto janë parti që janë krijuar nga të ashtuquajturit “të fortë’. Për mua ky është shkatërrimi që i ka ndodhur Shqipërisë. PS duhej të ishte parti e të varfërve dhe jo e biznesmenëve. Kapet pas të fortit sepse është më efikase, se shqiptarë bagëti janë thotë, më duhen barinj në qytete dhe kështu e sundoj Shqipërinë. Ky është sistemi, ky është hall i madh. Bushati nuk guxon që t’ja përmendë emrin Edi Ramës këtu. Rama është numri njëshi që ka marrë këta persona. Një gazetar gjerman i kishte thënë se përse ke zgjedhur këtë të fortë, Rama ka thënë se ai më mbron votën. Unë mendoj se nëse Bushati nuk e ka propozuar, mundet Rama i ka thënë ky është dhe Bushati ka thënë Ok. Ditmir Bushati duhej t’i thoshte jo. Këtu është problemi se nuk i themi dot jo liderit, Sali Berishës nuk i thoje dot jo, Ramës nuk i thua jo. Ose nënshtrojmë këtë sistem të fortësh në Shqipëri ose Europa do jetë si fasadë”, tha Lubonja.

Por, sipas Bushatit, situata nuk është e tillë, por që janë personat e fuqizuar ekonomikisht, të cilët përdorin influencën e tyre. “Ne nuk jemi nën influencën e disa të fortëve. Jemi nën influencën e disa personave që ekonomikisht janë të pushtetshëm dhe favore ekonomike i përdorin në disa zona të caktuara”, deklaroi Bushati. I pyetur nga gazetari Balla, nëse këto favore ekonomike përfshijnë edhe blerjen e votës, Bushati ka deklaruar se për këtë nuk ka pasur të dhëna.

Ndërsa sipas Arjan Vasjarit, Shqipërisë e keqja nuk i ka ardhur kurrë nga personat që kanë pasur njollë në dëshminë e tyre të penalitetit, por prej atyre që nuk kanë pasur një gjë të tillë. Ai komentoi edhe ligjin e dekriminalizmit, ndërsa shtoi se në vetvete ka probleme të forta me të drejtat themelore të njeriut. “Dekriminalizimi ka problemet e forta me të drejtat e njeriut. Po ta çosh në Strasburg, ky është një skandal. Dramat këtij vendi i kanë ardhur nga persona më dëshmi penaliteti  të pastra. Kjo është e vërteta e këtij vendi. Çfarë dua të them më këtë. Por a janë problem këta? Po janë një problem shumë i madh. Nga këtu të kalojmë dhe t’i bëjmë gjyqin (Valdrin Pjetrit) se paska pas një problem me ligjin, ky nuk është një problem esencial”, tha Vasjari.



Skip to toolbar