Në mbledhjen e së mërkurës qeveria miratoi të gjitha rregullat por dhe listën e dokumenteve të nevojshme për të aplikuar për strehim social.
Sipas vendimit të qeverisë të drejtën për aplikim për përfitimin nga programet sociale e kanë të gjithë personat që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë: certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile; vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
Për vërtetimin e kushteve të strehimit: vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes; vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi; vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi; aktverifikim nga njësia vendore për banesat në rrezik shembjeje; rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore; banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit; vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës; akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
Për vërtetimin e kushteve familjare: certifikatë familjare; vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
Për vërtetimin e kushteve sociale: vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara; vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit; dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara; dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”; dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve; urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje; vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane; dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin; vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI; vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
Për vërtetimin e kushteve ekonomike: vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune; dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes; vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar; vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë; vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
Dokumentacioni dorëzohet nga vetë aplikanti, me përjashtim të rasteve kur sigurimi i tyre është i pamundur për shkak të situatave të dhunës në familje, e vërtetuar me urdhër mbrojtjeje apo urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata.
Aplikantët që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren.