Analisti Agron Gjekmarkaj dhe avokati Spartak Ngjela janë përplasur fort në Real Story të Sokol Ballës për krizën, sulmet e ndërkombëtarëve dhe mbrojtjen që Meta po i bën opozitës jashtëparlamentare.
Ngjela ka deklaruar se Meta është e vetmja shpresë për opozitën jashtëparlamentare, edhe opozita ka interesin e vet, prandaj e mbështet. “Të njëtjën gjë bën edhe opozita, pasi aty ka shpresën e vetme për të ardhur në pushtet”, ka deklaruar Ngjela. Por këtu ka ndërhyrë Gjekmarkaj, duke mbrojtur Presidentin, pasi sipas tij, shteti është “bërë një me pushtetin”.
Debati në Real Story
Eduard Zaloshnja: Komisioni i Venecias ka thënë se presidenti ka tejkaluar Kushtetutën, por ne nuk mendojmë se është një shkelje kaq e rëndë, sa të shkarkohet. Nëse juristët e Komisionit arrijnë që të argumentojnë se Meta ka bërë shkelje në linjën e Xhaferllarit, mendoj se kjo do të ishte më e rëndë.
Ngjela: Meta ka bërë gjithçka për interes të vet. Burri i shtetit të thashë se nuk e bën këtë gjë, nuk kishte pse të ngatërrohej. Ka konflikt interesi.
Gjekmarkaj: Shteti po kapet dhe Presidenca është i vetmi institucion që po i përgjigjet. Nuk më intereson fati i tij nesër dhe as historia e tij. Mendoj se në këtë rast, Meta po mbron interesin e publikut. Kemi një bandë që Shqipërinë e ka bërë xhungël.
Ngjela: Sigurisht duhet reagim, por duhet nga ana e opozitës dhe jo Presidenca. Politika është interes, sigurisht.
Gjekmarkaj: Shteti dhe pushteti janë bërë njësh, nuk janë të ndarë si në vendet perëndimore.
Ngjela: Kur nuk ka qenë kështu?
Gjekmarkaj: Ç’lidhje ka kjo, cila është zgjidhja?
Ngjela: Reforma në drejtësi. Harrojeni, atë po e bëjnë ndërkombëtarët dhe jam i bindur. Para një muaji i tha Departamentit të Shtetit, shkoni në Korenë e Veriut. Do e paguajë 100 fish. Janë të gjithë këto elementë akuzues ndaj tij, ai është bërë edhe kundër ndërkombëtarëve.
Gjekmarkaj: Ai nuk është kundër Amerikës, as kundër BE-së, por është kundër disa ambasadorëve. S’po them se është Buda apo Krishti, por për betejën që po bën është simpatik, sepse është në betejë për të mbrojtur interesin publik.
Ngjela: Ilir Meta i ka thënë Departamentit të Shtetit që shkoni në Korenë e Veriut iu tha. Po nuk e ke dëgjuar thuaj pas.
Sulo: E tha atë që këtu nuk është Kore e Veriut, sepse iu tha se vetëm këtu e në Korenë e Veriut bëhen zgjedhje me një parti. Nuk nxirret fjala nga konteksti.
Gjekmarkaj: Pinjollët rusë na thonë jemi antiamerikanë neve. Kam njerëz të pushkatuar nga komunizmi e nga bolshevikët. Këta palaçot, pinjollët e kriminelëve, të rusëve dhe të Bashkimit Sovjetik. Turp për ta!
Ngjela: E tha direkt kundër Departamentit të Shtetit.