Krishtlindja, klerikët japin mesazhe shprese!

AKTUALITET


25 dhjetori shënon ditën e Krishtlindjes dhe në mbarë botën  e krishterë kjo shënon festën më të madhe të besimit, katolik e ortodoks. Edhe në Shqipëri kjo festë festohet si një Kishën katolike ashtu edhe në kishën Ortodokse. Në kishën Katolike mesha e Krishtlindjes u mbajt në mesnatë, ndërsa besimtarët ortodoksë zhvillojnë meshën e festës mëngjesin e së mërkurës (sot). Në fjalën e mbajtur në meshën e mesnatës në katedralen e Shën Palit në Tiranë, Arqipeshkvi Imzot George Frendo vendosi theksin te solidariteti që treguan shqiptarët për të prekurit pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit si dhe përçoi dhe mesazhe për politikanët ndërsa kërkoi që të mos vidhen paratë e mbledhur nga tërmeti dhe të mos rriten çmimet.

Imzot George Frendo u dërgoi një mesazh të gjithë atyre që planifikojnë të përfitojnë nga ky moment tragjedie. Ai iu drejtua të gjithë atyre që abuzojnë duke rritur çmimet e qirave për banesat nisur nga rritja e kërkesave dhe atyre që kanë ngritur çmimet për materialet e ndërtimit, duke thënë se po bëjnë një mëkat të madh.

“Çfarë po ndodh në këtë orë në kishat që janë plot me njerëz? Zakonisht në këtë orë njerëzit janë në gjumë apo disa të rinj në diskotekë, çfarë po ndodh që këta njerëz drejtohen drejt kishës? Kanë dëgjuar fjalën e engjëjve. Festa e Krishtlindjes është festa e plotë e solidaritetit. Solidar me ata që për shkak të tërmetit të 26 nëntorit kanë humbur gjithçka dhe kanë mbetur pa shtëpi. Jezusi që sot na mëson se çfarë do të thotë solidaritet, gëzohet duke parë solidaritetin që populli shqiptar ka treguar ndaj personave të prekur nga tërmeti. Vëllezërit dhe motrat shqiptare kanë treguar solidaritet dhe shumë u janë afruar personave që kanë mbetur pa shtëpi.

Solidariteti bën pjesë te ADN-ja shqiptare, e kanë të shkruar në ballin dhe zemrën e tyre. Sa bukur kjo shoqëri dëshmoi këtë solidaritet të jashtëzakonshëm, por kam një pyetje; a jemi të gjithë duke treguar këtë solidaritet ndaj viktimave të këtyre tragjedie? Jo, jam ndjerë shumë i zhgënjyer që dëgjova se ka disa që po abuzojnë, që kanë rritur qiratë, dhe për kë? Për njerëz që në këtë fatkeqësi kërkojnë një vendstrehimi, po rrisnin çmimet e materiale që duhen për ndërtimet, është mëkat i madh, të përfitojnë nga kjo tragjedi për të fituar. U drejtohem atyre që po pasurohen dhe korruptojnë në sajë të tërmetit. U drejtohem me fjalët; qani dhe vajtoni për të këqijat që do vijnë mbi ju”, tha imzot George Frendo. 

Në përfundim të meshës besimtarët uruan njëri tjetrin për sa më shumë mirësi dhe begati.

Ndërsa mesha e ortodoksëve zhvillohet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe drejtohet nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Në Shqipëri Krishtlindja festohet edhe nga besimtarët jo të krishterë, pasi është një nga festat më të pëlqyera nga të gjithë.



Skip to toolbar