Ish-ministri i Drejtësisë në kohën kur LSI ishte pjesë e “tepsisë” së qeverisë, Ylli Manjani ka hedhur kritika të forta në drejtim të klasës politike në vend, duke shkruar se të gjitha partitë politike në Shqipëri janë të vjetra për dekadën e re që ka nisur. Sipas Manjanit, na pëlqen ose jo, ky perceptim është gjerësisht i ngulur në mendjen e njerëzve, pasi janë të njëjta fytyra, parti dhe të njejtët premtime.
“Partitë politike janë ende shumë të vjetra për të përballuar dekadën e tretë të shekullit që jetojmë. Na pëlqen ose jo, ky perceptim është gjerësisht i ngulur në mendjen e njerëzve. Dhe s’kanë faj, me thënë të drejtën. Të njëjtat fytyra! Të njëjtat parti! Të njëjtat veprime! Të njëjtat fjalë! Njësoj! Si në fundshekullin e shkuar edhe në këtë dekadë të tretë të shekullit të ri.
Opozitarët thonë që qeveritarët janë më të këqinj se ne. Qeveritarët thonë se të këqijat e ish pushtetarëve janë më të këqija se të zezat tona! E mbani mend Shalsin e dekadës së shkuar?! Njësoj! Gjithnjë koka pas. Ishim më mirë kur ishim keq..! Ftesa e vetme që i bëhet njerëzve është na zgjidhni ne se jemi më pak të këqinj. Kështu bëjnë të gjitha partitë, pa përjashtim!!!
Ndërkohë njerëzit nuk vendosin, nuk zgjedhin, thjesht votojnë”, shkruan Manjani, duke theksuar se kjo nuk sjell asnjë ndryshim.
Ndërsa partitë, sipas tij, kanë krijuar një realitet virtual rreth vetes, flasin për suksese dhe për dashuri ndaj popullit, duke sharë kundërshtarin.
“Kulmi është kur partitë bëjnë debat edhe për hallet e Amerikës, Francës e Gjermanisë si në faqen 4 të Zërit të Popullit dikur. Asnjë lidhje me Shqipërinë reale, me shpopullimin e frikshëm, me polarizimin ekstrem ekonomik e social, me ndasi të rënda sociale, pa shtet dhe me demokraci të dhunuar. Asnjëra parti nuk thotë se si zhvillohet Shqipëria reale!!! Të gjitha merren me veten duke bërë ato hesapet e vogla elektorale. Hesape të reja me numra të vjetër. Njësoj, si gjithmonë! Keq boll, me thënë të drejtën!”, shkruan Manjani, ndërsa thekson se mbështet idenë e zgjedhjeve politike që kthejnë pluralizmin dhe garantojnë rotacionin!