Policia nuk ka identifikuar ende autorët që plagosën me armë mbrëmjen e së enjtes 46-vjeçarin Agim Hida në Bathore.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja. Hida ka marrë 2 plumba në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut.
Agim Hida ka qenë i ulur në lokalin aty pranë kur një prej autorëve që lëvizin me motomjet e qëlluan me armë nga një distancë e afërt duke e lënë të plagosur.
Policia nuk ka ende një pistë konkrete për ngjarjen, por verifikimet kanë nisur për të kaluarën e vëllait të tij, pasi disa vite më parë është akuzuar se ka kryer një vrasje në zonën e Yzberishtit në Tiranë.
Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje 46-vjeçarin Hida për të sqaruar rrethanat dhe që mund t’i ndihmojë në zbulimin e autorëve. Në komisariat janë shoqëruar vetëm dëshmitarë okularë dhe persona që mund të kenë djeni për ngjarjen.
Vëllai është Flamur Hida, tek i cili është përqëndruar hetimi për vrajsen e një italiani, Stefano Rossi vite më parë. Megjithatë, sipas hetuesve, në fokus të hetimit është në përgjithësi e kaluar e Flamurit.
Ndërkohë, në ato pak fjalë që ka deklaruar Agim Hida në spital pas plagosjes, është shprehur se ka qenë errësirë dhe nuk i ka parë autorët.
Grupi hetimor do ta rimarrë në pyetje për të sqaruar të tjera detaje pasi për shkak të gjendjes mbrëmjen e së enjtes nuk ka qenë e mundur të pyetet me hollësi.