Imzot George Frendo sot në “Real Story. Mesazhi për politikën: Të varfrit vlejnë më shumë se votat…

AKTUALITET


Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, disa muaj përpara zgjedhjeve ka dhënë një mesazh të fortë për politikanët e Shqipërisë.

Frendo shkruan se duhet të marrë fund sistemi i korruptuar, duke shtuar se të varfërit dhe ata që kanë nevojë më së shumti duhet që të mbështeten më së shumti.

Ai, pasi pasqyron disa realitete nga Shqipëria, iu bën apel politikanëve që të mund të ndryshojnë panoramën e zhymtë që mbizotëron në vend, ku nëpërkëmbet i varfëri.

Imzot George Frendo do të jetë sot i ftuar në 21:00 në emisionin ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla.

Postimi i imzot George Frendos:

KUSH KUJDESET PËR TË VARFRIT?

Imzot George Frendo O.P.

Kush e vret mendjen për të varfrit? Çdo vit, afër fundit të gushtit, shumë familje të varfra, tashmë në gjendja ekonomike tepër të vështirë, sepse njerëz të paskrupullt i detyrojnë të paguajnë qera astronomike për shtëpinë ku banojnë (nganjëherë i ngjan më shumë një stalle sesa një shtëpie) ose çmime të larta arbitrare aforfe për konsumin e dritave, tani duhet të përballojnë edhe një problem tjetër: shpenzimet për shkollat e fëmijëve.

Është turp i madh kur njerëz, nga të cilët varet e ardhmja e shumë njerëzve të mjerë, nuk japin atë që kanë për detyrë të japin, pa marrë para; dhe është poshtëruese kur njerëz, që janë në varësi nga të tjerët, nuk marrin atë që kanë të drejtë të marrin pa paguar para.

Kam dëgjuar për disa profesorë në një universitet që nuk japin një notë të mirë në provim përveçse kur studenti iu ka paguar lekë. Kjo jo vetëm është një padrejtësi e madhe, por është edhe një njollë shumë e shëmtuar për një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Dhe në këtë mënyrë po u jepen diploma personave që nuk i meritojnë, ndërsa iu mohohen atyre që i meritojnë. Një situatë e tillë inkurajon korrupsionin, e kështu shoqëria e nesërme do të jetë ende më e korruptuar sesa shoqëria e sotme.

Dhe kjo situatë nuk kufizohet vetëm në fushën e arsimit. Fatkeqësisht, përhapet në shumë fusha të tjera. Nëse paguan ryshfete, mund të fitosh çka të duash dhe të arrish ku të duash; në të kundërt, s’ke shans, as për të gjetur punë, për të cilën çdo njeri ka të drejtë! Nëse ke fuqi dhe zotëron një klub nate, mund ta mbash hapur tërë natën me muzikë me zë të lartë që mund të zgjojë tërë qytetin, pa asnjë respekt për të drejtën e qytetarëve për të fjetur natën. Por… Kujt i bëhet vonë?!

Në fushën shëndetësore? E tmerrshme! Është spital shtetëror, por kirurgu do lekë për të të operuar, infermieri do lekë për të të dhënë injeksion, pastruesja do lekë për të ta pastruar dhomën… E nëse je i varfër? Kujt i bëhet vonë?! “Nuk është puna ime” – të përgjigjen. “Xhepi im nuk ka miq!” – ka thënë një kirurg një pacienti të varfër.

Sa shumë herë kemi dëgjuar për njerëz që janë vetëvrarë pasi kishin shumë borxhe e shumë probleme të tjera financiare që nuk mund t’i përballonin dot, dhe fatkeqësisht nuk gjetën asnjë zgjidhje tjetër përveçse t’i shmangnin këto probleme duke i dhënë fund jetës… Atëherë i qajmë, na vjen keq për familjet e tyre… por pikërisht atëherë është tepër vonë! Kush mendonte për ta ndërsa ende vrisnin mendjen për këto probleme? Kush pati mëshirë për ta? Kush i mbështeti dhe i mbrojti? Kush i kishte vënë re se po vuanin? Kujt i bëhet vonë?!

Viktimat më të mëdha të një sistemi të korruptuar janë më të varfrit: nuk kanë mjete për ta mbrojtur vetveten, as kanë mjete financiare për t’i shpërblyer njerëzit e korruptuar që kërkojnë ryshfete. Po kujt i bëhet vonë?!

Shtatë muaj para zgjedhjeve politike uroj politikanët tanë të kenë parasysh dinjitetin e të varfërve. Personat e të varfërve vlen më shumë sesa votat e të varfërve. Dhe i uroj të angazhohen seriozisht për ta kontrolluar korrupsionin dhe të kujdesen më shumë për të varfrit dhe për të drejtat e tyre. Para Zotit të gjithë jemi barabartë, të gjithë kemi të njëjtin dinjitet dhe të njëjtat të drejta.



Skip to toolbar