Teatri i Ri po ndërtohet, Veliaj: Puna nuk ndalet nga Aleanca për Mbrojtjen e Saliut

Më të fundit


Puna për ndërtimin e Teatrit të Ri po ecën me ritme të mira. Gjatë inspektimit në kantier, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh entuziast për ritmin e punimeve. Ai tha se shpreson që, deri në vitin 2025, të ketë përfunduar binaja e godinës së re. Veliaj shtoi se i vjen keq për kohën e humbur nga bllokimet që i janë bërë projektit.

“Kur je në kantier kupton se po flasim për një objekt të përmasave madhështore, që do të jetë këtu për Tiranën e 100 apo 200 viteve të ardhshme. Sot jemi në fazën e ndërtimit, port ë mos harrojmë se kemi humbur 30 vite për dy fazat e tjera, të projektimit dhe vizionit. E di që kemi një cirk constant nga një grup kllounësh, që vazhdon të djegë goma nën suazën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kur në fakt të gjithë e dinë se ajo është Aleanca për Mbrojtjen e Saliut. Rrugaçëria, djegia e gomave, goditja ndaj forcave të Policisë, dëmtimi i një objekti që është monument kulture si selia e Bashkisë së Tiranës, që nuk është prona ime, të gjitha këto nuk kanë lidhje me teatrin. Ky është një cirk i shëmtuar, është bërë shumë bajat dhe banal. Fakti që Tirana i ka braktisur totalisht, do të thotë se Tirana mezi po pret Teatrin e Ri. Ky është Teatri i Tiranës, ky është Teatri i qytetarit, ky është Teatri që do të jetë me kondicioner në verë dhe do jetë me ngrohje në dimër; ky do të jetë Teatri ku çdo aktor, flas për aktorët e mirëfilltë, jo aktorët e Saliut, do të ketë dhomën e tij personale me të gjitha kushtet”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se qytetarët dhe aktorët presin Teatrin e Ri me kushte të mira për të punuar dhe për të shijuar shfaqjet. Projekti parashikon edhe një hapësirë për parking nëntokësor, si dhe të gjitha dhomat teknike që do t’i shërbejnë skenës qendrore.

“Detyra juaj nuk është të shqetësoheni për djegien e gomave, por të shqetësoheni për inxhinierinë, për pjesën teknike, për ndërtimin dhe betonimin, si dhe për të gjitha utilitetet, si ujë, drita, fibrat optike dhe energjia elektrike. Detyra jonë, siç e kërkon edhe ndarja e punëve, është të dëgjojmë edhe për ca kohë atë teatër absurd. Por, mënyra më e mirë për t’i dhënë një përgjigje djegies së gomave dhe banalitetit grotesk që krijohet me këtë ritualin për lirimin e Saliut, është ndërtimi i kësaj vepre. Kush e mban mend historinë e Tiranës moderne, asnjë projekt i madh që ka ndryshuar jetën e qytetit nuk është bërë pa sherr nga ata që dinë të bëjnë vetëm sherr. E filluam këtë punë me këndin e lodrave te Liqeni dhe kur shikoj të njëjtat fytyra që tërhiqnin kangjellat zvarrë në Bulevard, që protestonin kundër lodrave me pistoletë, imagjino ç’i bëjnë këtij projekti. E njëjta gjë ndodhi me Astirin, ku dogjën gomat, e njëjta gjë ndodhi te Bulevardi, e njëjta gjë ndodhi te Pazari i Ri, te Kalaja këtu ngjitur. Pra, ky është një film që e kemi parë, tani të presim edhe serialet e fundit të filmit, por ndërkohë duhet të fillojmë një epokë të re me Teatrin e Ri që bën kontrast të madh me teatrin e banalitetit që shoh”, tha Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku theksoi se gjatë verës puna për teatrin do të vijojë me tre turne, për të shfrytëzuar largimin me pushime të qytetarëve, kur Tirana ka më pak lëvizshmëri.



Skip to toolbar