Vendimi i qeverisë së Kosovës për të vendosur rregulla të reja, duke përfshirë zëvendësimin e targave serbe me ato kosovare, çoi në përplasje pasditen e së dielës në Kosovë.
NATO e përshkroi situatën si “të tensionuar” pasi qindra serbë etnikë parkuan kamionë, cisterna dhe automjete të tjera pranë dy pikave kryesore kufitare me Serbinë në shenjë proteste ndaj rregullave të reja, duke detyruar policinë të mbyllë dy vendkalimet.
BBC i ka dedikuar një artikull duke shkruar se forcat e NATO-s në Kosovë, KFOR ishin të përgatitur të ndërhynin në rast se do të rrezikohej stabiliteti i vendit.
Por pas konsultimeve me SHBA-në dhe BE-në, qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë zbatimin e rregullave për në muaj. Protesta të ngjashme u zhvilluan vitin e kaluar për propozimet për ndryshimin e rregullave të targave.