Deputeti i PS-së, Ervin Bushati i ftuar në studion e emisionit “Real Story” në News 24, teksa diskutohej për krizën që ka kapluar biznesin si pasojë e pandemisë dhe tërmetit, u shpreh se në situatën ku ndodhemi biznesi nuk duhet ta shohë shtetin si kundërshtar.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar një situatë dyfish të vështirë, jo vetëm nga pandemia, por edhe tërmeti para saj, e që të përballonte më mirë situatën duhet të ishte si Zvicra.
“Tërmet plus pandemi, ne duhet të ishim një Zvicër që të bënim një tjetër përballim të situatës dhe të flisnim sot për luksin për të ndihmuar sa më shumë bizneset. Duke qenë një ekonomi e lidhur me rajonin nëse nuk shkojnë në sinkron me ta ka një cikël që digjet. Në këto kushte konsumatorët i ruajnë paratë, nuk konsumojnë shumë produkte të tjera, veç ushqimeve. Në Shqipëri ne funksionojmë si familje, flas për raportin shtet-biznes.
Biznesi nuk duhet ta shohë shtetin si kundërshtar. Shqipëria në fakt është një nga ekonomitë më liberale e ka lejuar tregtinë, konsumatorët marrin produkte më të lira. Hapja me tregjet na bëri që të jemi sa më parë në treg. Ne po përpiqemi që nëpërmjet fondeve si eurobondi të shkojnë drejt punëve apo investimeve publike, pra njerëzit të kthehen në punë”,- tha ai.