Tërmet në Superligë, Tirana e Partizani “shkunden” para derbit

Më të fundit


Janë luajtur këtë të shtunë ndeshjet e radhës të Superligës, të cilat kanë prodhuar jo pak surpriza. Sikur të mos mjaftonte tërmeti që lëkundi vendin, në fushën e blertë ka pasur “tërmet” rezultatesh. Partizani ka zhgënjyer përsëri tifozët e tij edhe këtë fundjavë, pasi ka barazuar me rezultatin 1-1 me Bylisin në “Selman Stërmasi”. Një autogol i Peposhit në minutën e 72` i dha avantazhin skudrës së Partizanit, por miqtë nga Mallakastra kanë shënuar me Ntehpe në minutën e 90+3`, duke marrë një pikë me shumë vlerë nga takimi i së shtunës. Në fakt, pas barazimit, Bylis ngjitet provizorisht në vendin e katërt me 8 pikë, ndërsa Partizani me një pikë më pak mban vendin e 7-të. Ndërkohë, në “Selman Stërmasi”, vetëm pasi kishte nisur ndeshja, është ndalur loja për shkak të tërmetit të fuqishëm që përfshiu vendin tonë. Për disa çaste tifozët janë përfshirë nga paniku, duke zbrazur shkallët e stadiumit, ndërsa në tribunën kryesore ka pasur disa dëmtime në muret dhe tavanin e tribunës kryesore. 

Ndërkohë, veç lëkundjeve të tokës, “tërmeti” i rezultateve është ndjerë edhe në stadiumin e Korçës, ku Skënderbeu ka mundur Teutën me rezultatin 1-0 me gol të Krasniqit në minutën e 20`. Skuadra korçare ka ardhur te fitorja pas dy humbjeve radhazi në kampionat. Por duket se fitorja në mesjavë ndaj Devollit në kupë, ka rikthyer entuziazmin te skuadra korçare, që me tre pikët e marra të shtunën ngjitet në vendin e 3-të të renditjes me 9 pikë. Ndërkohë Teuta e Bledi Shkëmbit mbetet në vendin e 5-të me 8 pikë.

Pas tre fitoresh dhe një barazimi, Tirana ka pësuar “lëkundje” të forta këtë fundjavë ndaj Kukësit. Kristal Abazaj dhe Vasil Shkurtaj, i dhanë fitoren 2-1 skuadrës veri-lindore në sfidën e javës së pestë të kampionatit. Për Tiranën shënoi Cobinah, por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e parë në kampionat për këtë sezon. Megjithatë, edhe pse u mund, Tirana mbetet në krye të renditjes me 10 pikë, ndërkohë që humbja ndaj Kukësit ishte një “lëkundje” e fortë përpara derbit me Partizanin. Ndërkohë, po me 10 pikë, Kukësi ngjitet në vendin e dytë të renditjes ndërsa javën e ardhshme skuadra e Duros do të përballet me Teutën.



Skip to toolbar