Pas mbledhjes së qeverisë gjatë mesnatës së djeshme , kryeministri Edi Rama mbledh të dielën grupin parlamentar të Partisë Socialiste, bashkë me ministrat dhe krerët e bashkive.
Në orën 10:00, kreu i qeverisë do të zhvillojë një takim me të gjithë prefektët, në Ministrinë e Mbrojtjes. Menjëherë pas këtij takimi, rreth orës 11:00, Rama do të mbledhë urgjentisht grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat e krerët e bashkive.
Në mbledhjen e qeverisë, zhvilluar mbrëmjen e djeshme me urgjencë, Rama deklaroi se të gjithë strukturat do të jenë të angazhuara në shërbim të qytetarëve. Ai vlerësoi punën e bërë për normalizimin e situatës menjëherë pasi ra tërmeti i fuqishëm
Mbledhja e qeverisë u shoqërua edhe nga një lëkundje e fuqishme me magnitudë 4.9. Në atë moment e kishte fjalën ministri Sandër Lleshaj i cili ndërpreu për pak fjalën duke ngritur kokën lart. “Po përpiqem dhe unë të mos më lëkundet zëri”, u shpreh Lleshaj.
Kryeministri Edi Rama anuloi udhëtimin për në New York me të marrë vesh lajmin për tërmetin e fuqishëm që tronditi vendin.