Tërmeti, 5 prokurori nisin hetimet. Kërkohen listat me dëmet dhe dosjet nga institucionet lokale

AKTUALITET


Prokurorisë së Tiranës, Durrësit dhe Krujës i janë bashkuar edhe ajo e Lezhës dhe e Kavajës për hetimet që po kryhen për pasojat e tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor.

Prokuroria e Lezhës ishte ajo që fillimisht njoftoi se ka nisur verifikimet për dëmet e shkaktuara. Drejtuesi i prokurorisë së Lezhës Milan Laskaj, i ka kërkuar policisë së këtij qarku, që të verifikojë në terren të gjitha ndërtesat që kanë pësuar dëmtime serioze, dhe këto dëme të referohen në prokurorinë e rrethit, shoqëruar edhe me tabelat fotografike të dëmtimeve dhe dokumentacionin përkatës të objektit.

Deri në këtë fazë, prokuroria e Lezhës është në periudhën e verifikimit të ndërtesave të dëmtuara, por pritet që në ditët në vijim, të regjistrojë një procedim penale për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”. Qarku i Lezhës, u prek ndjeshëm nga lëkundja e fuqishme e tërmetit, ndërkohë dy ditë pas goditjes, qeveria vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në këtë qark, pasi shumë dëmtime në banesa sollën nxjerrjen të pastrehë të shumë banorëve të zonës.

Ndërkohë pas Lezhës, edhe Kavaja ka nisur hetimet, duke kërkuar nga komisariati i Kavajës, që varet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës që të kryejë të gjitha verifikimet në terren. Prokuroria informon se nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar tre institucioneve, konkretisht, Bashkisë Kavajë, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Komisariatit të Policisë Kavajë ajo kërkon informacion të hollësishëm mbi evidentimin e dëmeve të objekteve apo për persona të lënduar nga ky tërmet.

Nëpërmjet saj Prokuroria kërkon të informohet nga institucionet e lartpërmendura për çdo rast të evidentuar, i cili duhet të konsistojë si: në rastet kur rezultojnë dëmtime të karakterit të rëndë të ndërtesave të cilat kanë krijuar probleme dhe pasojë në shëndetin e njerëzve, të dëmtimeve që rezultojnë për shkak të shkeljeve të elementëve teknikë të ndërtimit të cilat konsiderohen si të papërshtatshme për banim duke ju referuar zbatimit të projekteve, rastet kur do të vendoset mospërdorimi i tyre për shkak të rrezikshmërisë dhe shembja e tyre etj.

Këto informacione prokuroria e Kavajës i kërkon me qëllim nisjen e hetimeve për rastet që do të rezultojnë me shkelje në lidhje me ndërtesat e dëmtuara për të nxjerrë përgjegjësitë e kompanive ndërtuese, projektuesve dhe institucionet që u kanë dhënë hipotekën banesave që nuk kanë asnjë kusht sigurie. Veprat penale për të cilat po hetohen janë “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm”, dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

Tërmeti i 26 nëntorit që tronditi shqiptarët dhe la pasoja të mëdha në Durrës, Thumanë, ish-Kënetë dhe Kavajë, ku për pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Fatmirësisht në Kavajë ky tërmet shkaktoi vetëm dëme materiale dhe nuk u regjistrua asnjë humbje në jetë njerëzish.



Skip to toolbar