Tërmeti, gati lista e arrestimeve në Durrës

AKTUALITET


25 persona humbën jetën në qytetin e Durrësit, duke mbetur nën rrënojat e ndërtimeve jo cilësore që nuk i mbijetuan tërmetit të 26 nëntorit. Prokuroria e Durrësit ka nisur menjëherë punën dhe ka mbledhur provat në çdo pallat të dëmtuar për shkak të tërmetit dhe ka bërë gati listën me personat përgjegjës që kanë lejuar ndërtimin e pallateve jocilësore.

Burime nga prokuroria e Durrësit bënë të ditur për ABC news se lista me emrat e personave përgjegjës është gati dhe në ditët e ardhshme do të bëhen arrestimet e para për shkelësit të cilët do të vihen para drejtësisë.

Prokuroria e Durrësit e nisi që në datën 29 nëntor çështjen penale për tërmetin. Prokurorët dyshojnë se shkak për shembjen e godinave janë bërë ndërtimet pa leje, por edhe moskryerja e detyrës nga inxhinierët zbatues si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

Bilanci përfundimtar i tërmetit është 51 të vdekur dhe rreth 1 mijë të lënduar, ndërsa numërohen 261 pallate dhe 2237 banesa të dëmtuara rëndë.



Skip to toolbar