Çudirat e Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, i cili kandidon për një mandat tjetër këtë bashki, nuk kanë të mbaruar. Bëma e radhës e Peçit ka të bëjë me zhvillimin e një takimi elektoral brenda ambienteve të kishës së fshatit Lekël mbrëmjen e së shtunës.
Në një postim në rrjetet sociale, Peçi flet gjerë e gjatë për kontributin e këtij fshati gjatë historisë, ndërsa në fund bën edhe premtimet për katërt vitet e ardhshme. Megjithatë, ai ka një shpjegim për këtë, duke e cilësuar traditë këtë veprim.
“E nisëm bisedën në kishën e fshatit. Një traditë që i shoqëron në shekuj, mbledhjet dhe kuvendimet e Lekëliotve. Kjo për faktin se fjala e lënë në vend të shenjtë, duhet patjetër të marrë udhë e të bëhet realitet. Në kishë, edhe pse në orë tepër të vonë, aty gjeta mikpritjen si rrallëkund, të burrave dhe grave të këtij fshati, që dikur ka qene një qendër e rëndësishme me ndikim në rrëzë. Të flasësh me Lekëliot për historinë, traditën, njerëzit, me siguri do duheshin ditë të tëra sepse padyshim është fshati më historik në ish- rrethin e Tepelenës”, deklaroi Peçi.
Në postimin e tij mbi këtë takim, kryebashkiaku i Tepelenës tha se u fol edhe për premtimet elektorale “Biseduam e folëm gjatë, megjithatë besimi dhe shpresa për t’i kthyer Leklit vëmendjen është e madhe. Projekti i rrugës dhe qendrës së fshatit janë gati dhe kemi kërkuar realizim e tyre. Premtimi im është që do bëj të pamundurën për ta bërë pjesë të Programit Qeveritar 100+ Fshatrat, pasi kostot për ta realizuar me buxhet të bashkisë, do të bëjnë të mundur vetëm rivitalizimin e qendrës së fshatit. Lekli duhet të jetë patjetër në hartën turstike, pasi përfaqëson Rrëzën dhe duke e lidhur me Kurveleshin që tashmë ka marrë udhë, do mund të kemi në të ardhmen, një Tepelenë me vlera të vërteta turistike”, tha Peçi.