Tërmeti lëkund Fushë-Arrëzin, panik te banorët

AKTUALITET


Një tërmet me magnitudë 4.4 ballë ka lëkundur Fushë Arrëzin pasditen e së hënës, lëkundjet e të cilit janë dëgjuar edhe në zonat përreth. Lëkundja është regjistruar në orën 17:37:09 me orën lokale duke shkaktuar panik dhe frikë te qytetarët që kanë dalë nga banesat.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, epiqendra është regjistruar 15 km në verilindje të Fushë Arrëzit, ndërsa thellësia është 10 km. Nga të dhënat e para nuk raportohet për dëme materiale.

Edhe kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci deklaroi për mediat se në qytet nuk ka dëme nga tërmeti, ndërsa për zonat rurale po grumbullohet informacion nëse ka pasur probleme. Ndërkohë, sipas IGJEUM, të dielën ka pasur një tjetër lëkundje 2.1 km nga Klosi, por ka qenë e lehtë, me magnitudë 2.2 të shkallës Rihter.

Frika nga tërmetet është shtuar dhe më shumë pas lëkundjeve që sollën dëme të konsiderueshme në rajonin e Korçës. Madje, vetëm pak ditë më herët, pati një tjetër lëkundje në Korçë, që solli panik të banorët, të cilët qëndruan jashtë pallateve për disa orë, derisa situata u normalizua.



Skip to toolbar