Tërmeti shkund Shqipërinë, Qytetarët e gdhijnë jashtë

AKTUALITET


Tërmeti që tronditi Shqipërinë të shtunën, më i fuqishmi në 30 vitet e fundit, i shoqëruar me mbi 100 lëkundje të tjera më të lehta deri në orët e para të mëngjesit, ka bërë që shumë qytetarë të kalojnë natën jashtë nga paniku dhe frika, ndërkohë që pas mbledhjes urgjente të qeverisë në mesnatë, kryeministri Edi Rama do të vijojë edhe të dielën takimet e njëpasnjëshme për të marrë masa për tërmetet, në mënyrë që të shmanget ndonjë tragjedi e mundshme në njerëz, por edhe për të riparuar dëmet e shkaktuar deri më tani.

Tërmetet e forta, që kulmuan pasditen e së shtunës me lëkundjen e shkallës 5.8 Rihter, afërsisht 7-8 ballë, dhe që kanë vijuar gjatë gjithë natës, shkaktuan dëme të mëdha në Tiranë dhe Durrës, duke lënë të lënduar mbi 100 qytetarë, duke shkatërruar mbi 100 banesa e shumë pallate. Deri më tani janë ngritur gjashtë pika emergjence në disa zona të Tiranës, ndërsa pritet të merren të tjera masa në orët në vijim.

Lëkundje gjatë natës

Një tjetër lëkundje tërmeti është ndjerë në Shqipëri në mesnatë, pas goditjeve të fuqishme të tërmetit të rënë pasdite me magnitudë 5.8 dhe 5.2 Rihter. Lëkundjet sizmike me epiqendër 4 kilometra nga Durrësi, (31 kilometra nga Tirana dhe 10 nga Shijaku), është me magnitudë 4.8 ballë. Lëkundjet zgjatën vetëm pak sekonda.

Dy lëkundje të tjera janë regjistruar në orën 02:19 dhe 02:29, përkatësisht me magnitudë 2.7 dhe 4.4 rihter dhe me epiqendër në detin Adriatik. Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë dhe zonat përreth duke përhapur sërish panik tek qytetarët në qarqet e Durrësit dhe Tiranës. Lëkundja e orës 02:19 ka qenë 9 km nga Kavaja me thellësi 30 km dhe magnitudë 2.7 rihter, ndërsa lëkundja tjetër e orës 02:29 ka qenë 4 km nga Durrësi me magnitudë 4.4 rihter.

Sipas sizmiologëve, lëkundjet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim deri në qetësimin e vatrës së tërmetit. Italia, Kosova dhe Greqia kanë shprehur solidaritetin me Shqipërinë duke ofruar ndihmën e tyre për çdo nevojë, ndërsa emergjencat civile, Ministria e Mbrojtjes, ajo e Shëndetësisë dhe ambulanca janë vendosur në shërbim të qytetarëve duke ardhur në ndihmë në zonat më të prekura.



Skip to toolbar