Kërcënohen me armë inspektorët e pyjeve

AKTUALITET


Terror në Bulqizë ndaj inspektorëve të pyjeve, të cilët kishin dalë për të goditur prerjen e paligjshme të pyjeve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë orëve të natës, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti të rëndë.↨

Inspektorët e pyjeve në Bulqizë kanë ndaluar mbrëmjen e së dielës një kamion të ngarkuar me drurë të prerë në mënyrë të paligjshme, por janë gjendur përballë terrorit dhe kërcënimit me armë.

Disa persona që udhëtonin me fuoristradë, të cilët shoqëronin kamionin me drurë, kanë kërcënuar inspektorët me armë. Nën kërcënimin e armëve, inspektorët janë detyruar të tërhiqen nga detyra, pavarësht se me ligj duhet të ishin të armatosur. Menjëherë pas kërcënimit, inspektorët kanë lajmëruar policinë e Bulqizës, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ngritur postblloqe për kapjen e të dyshuarve.

Burimet policore thanë se për këtë ngjarje të rëndë është lajmëruar edhe policia e Tiranës, pasi dyshohet se autorët janë larguar drejt kryeqytetit. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin incidente të tilla në Bulqizë.



Skip to toolbar