Policia ka vënë në pranga 3 persona të tjerë, që akuzohen në lidhje me një ngjarje të ndodhur në qytetin e Vlorës në muajin maj të këtij viti, ku qëlluan me breshëri armësh në drejtim të një lokali duke lënë një person të plagosur. Katër persona përgjegjës për ngjarjen ishin arrestuar më herët, ndërsa së fundi policia ka vënë në pranga 3 të tjerë.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në maj të vitit 2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të tre shtetasve në një lokal dhe si pasojë mbeti i plagosur aksidentalisht 63-vjeçari D. C.
Në këtë kuadër gjatë orëve të fundit ka vijuar operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, në Vlorë dhe në Itali.
Në Vlorë, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Xh. M., 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .
Operacioni ka vijuar në Itali, ku si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe konkretisht: I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të dy banues në Vlorë. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H. dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ndaj shtetasve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 14.11.2019 janë arrestuar edhe 4 shtetas, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.
Këta persona të arrestuar akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa Leje” dhe në ngarkim të shtetasit Xh. M, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .