Ministria e Arsimit ka reaguar sërish mbi testin e Gjuhës Shqipe dhe sërish ka këmbëngulur se nuk ka dalë jashtë programit orientues dhe nw tw nuk ka gabime shkencore. Por pas një mbledhje të zhvilluar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore ku të pranishëm ishin një sërë institucionesh në varësi të kësaj ministrie, është vendosur që një prej kërkesave të nxënësve të merret parasysh, ajo e rishpërndarjes së pikëve.
“Qendra e Shërbimeve Arsimore vendosi se do të vlerësojë shpërndarjen e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve, si dhe do të konsiderojë heqjen nga vlerësimi përfundimtar i ndonjë pyetjeje specifike që rezulton të ketë pasur nivel më të lartë vështirësie se sa niveli i njohurive të nxënësve.” – thuhet në njoftim.
Por edhe pse plotësim i një prej kërkesave të tyre, sërish maturantët nuk janë të kënaqur. Pavlo Suka, maturanti i gjimnazit “Sami Frashëri i cili të hënën në emisionin “Real Story” mbajti qëndrime të forta ndaj Ministres Shahini dhe të gjithë institucioneve që janë marrë me hartimin e këtij testi, i kontaktuar nga Realstory.al, pas publikimit të këtij vendimi, shprehet sërish i indinjuar.
“Shpërndarja e pikëve është në rregull dhe ka qenë një nga kërkesat tona, por është paturpësi të thuhet: “për shkak të nivelit të vështirësisë”, sepse është nivel i dobët cilësie dhe paaftësi e formulimit të pyetjeve dhe përgjigjeve të dhëna. Nuk ka të bëjë me vështirësitë, aq më pak me njohuritë tona gjuhësore. Të mbahet përgjegjësi për testin e injorancës, i cili u nis për të qenë logjik. Nuk përkthehet test i Gjuhës Shqipe nga një gjuhë tjetër, për më tepër më perkthim gabim.” – mbyll reagimin e tij Suka.