Kryeministri Edi Rama në një lidhje live në emisionin ‘’Real Story’’ të News24 ka thënë se pavarësisht thirrjes së OBSH-së por edhe të opozitës për testime masive strategjia e tij deri tani po funksionon.
Rama thotë se nuk e vendos ai nëse do ndryshojë strategjia apo jo por ekspertët e Komitetit të ngritur posaçërisht për këtë situatë ku thekson se janë të kalibrit ndërkombëtar.
DEBATI NË REAL STORY
ARJAN VASJARI: Veneto që po e menaxhon më mirë se kushdo në Itali situatën po teston këdo. Fontana kërkon të njëjtën gjë.
EDI RAMA: Unë mendoj që nuk kemi pse e shtyjmë më tutje këtë debat. Ne nuk jemi të fushës. Jam shumë i bindur në strategjinë tonë. Nëse ndryshojmë e përcaktojnë ekspertët. Ne kemi ekspertë të kalibrit ndërkombëtar. Deri tani, sa i përket vdekjeve nuk duhet të biem në këtë kurth që të nxjerrim konkluzione pasi janë relative. Solla shembullin e Luksemburgut. Një nga vendet më të pasur të planetit, shumë më i vogël se ne ka më shumë vdekje.
Ajo që shohim në Itali është gabimi me parashikimin e pikut, ja këtë javë, ja këtë javë dhe shifrat rriten. Ne mos marrshim më sysh edhe lavdi zotit jemi në kushte mëse të stabilizuara. Kemi një numër minimal pacientësh me frymëmarrje të drejtuar. Ata që kanë humbur jetën kanë qenë persona me sëmundje të tjera. Nëse një person me kancer merr koronën, shpresa që të dalë nga lufta gjallë janë minimale.
Të rinjtë duhet të bëjnë shumë kujdes pasi edhe pse janë më pak të goditshëm por janë më të infektuar se sa të moshuar. Në Francë vdiqën brenda një nate rreh 20 pleq në azil, bam, bam, bam. Nga një ambient u bë një shtëpi me kufozma.