Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për Klan Kosova, ku flet edhe për Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Ramaa. Thaçi vlerëson rrugën që vendi ynë ka bërë drejt BE-së, ku thekson se Edi Rama po bën historinë evropiane të shqiptarëve.
Adriatik Kelmendi: Çfarë mesazhi do t’u dërgonit liderëve aktualë të Kosovës, për shtyrjen përpara të vizionit tuaj për shtetin?
Hashim Thaçi: Ripërsëris shpreh vetëm opinion, të ketë më shumë dashuri për shtetin dhe popullin, më shume dialog, tolerancë, bashkëpunim, respekt për njeri tjetrin. Dallimet politike do duhej t`i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme.
Shqipëria! Pas tri dekadash me ngritjet dhe rëniet e veta, Shqipëria po e përmbyll në mënyrë mbresëlënëse tranzicionin demokratik.
Sot, Shqipëria është një vend i respektuar dhe i besueshëm nga bashkësia ndërkombëtare. Është nder kur shihje Shqipërinë të udhëhiqte takimet e Këshillit të Sigurimit, me agjendë të koordinuar me SHBA-të dhe fuqitë tjera perëndimore. Shqipëria e zhveshi para botës agresionin rus në Ukrainë.
Shqipëria e mbështeti, mbrojti dhe afirmoi fuqishëm dhe dinjitetshëm shtetin e Kosovës. Shteti i Kosovës duhet t`i kontribuojë fuqizimit të Shqipërisë, e jo ngatërrimit të saj në rrugën evropiane. Shqipëria të mos kuptohet dhe trajtohet me mentalitet të lagjes së një cepi kombëtar, por në rrafshin gjeopolitik, ashtu siç edhe është shtet i respektuar anëtar i NATO-së. Sot, roli i Shqipërisë në rajon është lider në iniciativa për paqe dhe zhvillim.
