Thaçi refuzon “mini schengen”: Arsyet pse nuk shkova

KOSOVA


Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar të jetë pjesë e samitit të dytë për “mini schengen”, i cili po zhvillohet në Ohër. Ai e ka lidhur këtë qëndrim, me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga dy vende anëtare, Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

“Si President i Republikës së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese. Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta  zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Gjithsesi, Presidenti Thaçi vuri në dukje se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. “Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur. Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, deklaroi kreu i shtetit të Kosovës.

Më herët, një refuzim të tillë e ka bërë edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Behgjet Pacolli, i cili deklaroi se ftesa i kishte mbërritur vetëm të shtunën, ditën që mbahet samiti dhe e kishte të pamundur të merrte pjesë, pasi ndodhet jashtë vendit.

Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit….

Gepostet von Hashim Thaçi am Samstag, 9. November 2019


Skip to toolbar