Themeluesi i Wikileaks Julian Assange pritet të lirohet pasi të pranojë fajësinë mbi akuzat për spiunazh

BOTA


Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange pritet të pranojë nesër fajësinë se ka shkeluar Aktin e Spiunazhit të Shteteve të Bashkuara, në këmbim të lirisë së tij. Marrëveshja e arritur me drejtësinë amerikane do të bënte të mundur lirimin e tij pas një beteje ligjore 14 vjeçare dhe do ta lejonte atë të kthehej në Australi.

Avioni me të cilin udhëtonte Julian Assange u ul sot në Bangkok, për furnizim, ndërsa themeluesi i Wikileaks pritet të dalë të mërkurën para një gjykate në Ishujt Mariana Veriore për të pranuar fajësinë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh në këmbim të lirisë së tij, Sipas dosjes së depozituar në gjykatë, 52 vjeçari Assange ka rënë dakord në një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejësisë të pranojë fajësinë për vetëm një akuzë penale, atë të komplotit për të siguruar dhe publikuar dokumente sekrete të mbrojtjes amerikane.


Marrëveshja i jep fund një odiseje ligjore, gjatë së cilës zoti Assange u burgos 5 vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani, qëndroi 7 vjet i izoluar në ambasadën e Ekuadorit në Londër ndërsa kundështonte akuzat për abuzim seksual në Suedi dhe ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, ku përballej me 18 akuza penale.

Në vitin 2010 Wikileaks publikoi qindra mijëra dokumente të klasifikuara mbi luftrat e Uashingtonit në Afganistan dhe Irak, rrjedhja më e madhe e këtij lloji në historinë e ushtrisë amerikane.

Prokurorët amerikanë thonë ai, nxiti dhe ndihmoi ish-analisten e zbulimit të ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që publikoi WikiLeaks, duke vënë në rrezik jetë njerëzish.

Zoti Assange pritet të dënohet me 62 muaj burg, një periudhë burgosjeje që ai tashmë e ka vuajtur në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh, në Britani. Ai u largua prej atje të hënën, ku qëndronte prej vitit 2019.. Kjo do të thotë se ai do lirohet pas seancës dhe pritet të kthehet në shtëpi, në Australi.

Bashkëshortja e tij Stella, konfirmoi se zoti Assange ndodhej në avionin që u largua nga Britania të hënën dhe që mbërriti këtë mesditë në aeroportin “Don Mueang” në Bangkok. Themeluesi i Wikileaks pritet të dalë të mërkurën në mëngjes, me orën lokale para një gjykatës në Saipan, kryeqytet i Ishujve Mariana Veriore, një bashkësi ishujsh amerikanë në Paqësorin Perëndimor.

Seanca do të zhvillohet në Saipan për shkak të kundërshtisë së zotit Assange për të udhëtuar në SHBA dhe afërsisë gjeografike të gjykatës me Australinë, njoftuan prokurorët.

Shtetet e Bashkuara argumentojnë se publikimi i të dhënave nga Wikiliekas vuri në rrezik jetën e agjentëve amerikane. Mbrojtësit e lirisë së shtypit argumentojnë se ngritja e akuzave penale ndaj zotit Assange është një kërcënim për lirinë e fjalës.

Alan Rusbridger, ish kryeredaktor i gazetës britanike “The Guardian” e mirëpriti lirimin nga burgu britanik të zotit Assange, por tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë mund të jetë një precedent i keq për gazetarinë.

“Përdorimi i këtyre ligjeve ndëshkuese për të cilat nuk ka mbrojtje do të ketë ndikim në heshtjen e të gjithë gazetarëve, për të bërë një lloj gazetarie të tillë”, shprehet ai.

Analistja Cindy Cohn thotë se ndjekja penale ndaj Assange nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.

“Pavarësësisht çfarë nënkupton kjo për zotin Assange, për Shtetet e Bashkuara është shumë e rëndë. Kjo ndjekje penale nuk duhet të kishte ndodhur. Është hera e parë në historinë 100 vjeçare të Aktit të Spiunazhit që një gazetar, dikush që ka bërë gazetari hetohet për shkelje të ketij akti vetëm sepse ka marrë informacion dhe e ka shpërndarë atë. Gazetarët këtë punë bëjnë tërë kohën”, shprehet ajo.

Bashkëshortja e zotit Assange tha se ai do të depozitojë kërkesën për falje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

“Mendoj se veprimi i duhur i autoriteteve amerikane është pushimi i plotë i çështjes dhe ne do depozitojmë kërkesën për falje”, tha ajo.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha të martën se donte që zoti Assange të kthehej në shtëpi sa më pare të ishte e mundur./VOA




Skip to toolbar