Thirrjet e ndërkombëtarëve që palët të ulen në dialog për të zgjidhur krizën politike, një ftesë e cila është bërë edhe nga kryeministri Rama, kreu i opozitës, Lulzim Basha i ka cilësuar se këto nuk janë ftesa, por bëhen sa për sy e faqe që t’i hedhin hi syve njerëzve.
“Ftesa për dialog që bëhen për sy e faqe apo akoma më keq për propagandë nuk janë ftesa, por janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerëzve”, është përgjigjur Basha, kur u pyet se cila ishte përgjigja e Bashës për thirrjen për dialog të bërë nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu për ftesat e kryeministrit Rama.
“Në krizën aktuale në Shqipëri është e qartë se shkaktari kryesor është pikërisht Zoti Rama, i cili për pushtetin e tij ka lidhur pakt me krimin që faktohet dhe nga këto dosje hetimore. Disa gjëra dalin qartë nga këto dosje hetimore, megjithëse vetëm pak minuta janë zbardhur. Vjedhja e votës është bërë me të gjitha metodat e mundshme, jo vetëm në Dibër e Durrës, por në të gjithë Shqipërinë dhe ka qenë e përfshirë e gjithë kupola e qeverisë dhe PS”, vijoi përgjigjen Basha, ndërkohë që ai ripërsëriti se zgjedhje më 30 qershor nuk mund dhe nuk do të ketë me një parti të vetme. Madje, ai përdori të njëjtat fjalë për zgjedhjet e 30 qershorit, si Presidenti Meta, kur iu drejtua amerikanëve, që shkoni në Korenë e Veriut, nëse doni zgjedhje me një kandidat. Në këtë aspket, Basha deklaroi “30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh, votime ka edhe në Korenë e Veriut”. “Për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës, procese farse mban edhe Berdimuhamedov i Turkmenistanit, po këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, nuk mund të ketë zgjedhje pa kandidat”, deklaroi Basha.
Kreu i PD, Lulzim Basha foli dhe për përgjimet, duke deklaruar se kanë dalë vetëm një pjesë e vogël e përgjimeve, pasi sipas tij ka shumë të tjera.
“Publikimet më të fundit nga Bild dëshmojnë se jo vetëm që kemi kapje të këtij pushteti nga krimi, por shkrirje të krimit me pushtetin, qeverinë dhe institucioneve shtetërore në një. Ky bashkim kanë asgjësuar procesin politik, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë devijuar vullnetin popullor dhe kanë prodhuar themelet e kësaj krize, një parlament ilegjitim të dalë nga diktati i krimit të organizuar”, deklaroi kreu i PD.