Rumania ka marrë fitore 3:0 në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë ndaj Kosovës të premten. Kështu ka vendosur UEFA të mërkurën.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, e vlefshme për fazën grupore të Ligës së Kombeve, u ndërpre pak minuta para fundit teksa rezultati ishte 0:0. Lojtarët e Kosovës lëshuan fushën pasi pati thirrje raciste nga tifozët në Bukuresht.
UEFA ka vendosur që fitorja t’i takojë Rumanisë. Por kjo fitore nuk ndryshon renditjen në tabelë. Rumania mbetet e para në grup me 18 pikë, ndërsa Kosova (12 pikë) do ta kërkojë kalimin në Ligën B përmes Play off.
Në vendim, UEFA ka dënuar Federatën rumune me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme dhe një ndeshje pa shikues.
Federata rumune u dënua me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues për sjellje raciste dhe diskriminuese të tifozëve (në lidhje me thirrjet ksenofobe anti-hungareze). 30 mijë euro për transmetim të mesazheve politike provokuese nga tifozët, që nuk përkojnë me ngjarje sportive. 9 mijë euro për hedhje të gjësendeve. 4500 euro për ndezje të fishekzjarrëve. 8000 euro për përdorim të laserëve. 12.500 euro për pengim gjatë intonimit të himneve. 14 mijë euro për bllokim të dyerve të stadiumit.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është dënuar me 6 mijë euro gjobë për sjellje të pahijshme të skuadrës.
FFK-ja tani do ta ketë mundësinë ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit (CAS).