TikTok ndikoi në zgjedhjet rumune/ BE urdhëron platformën sociale të heqë materialet për presidencialet

BOTA


Bashkimi Europian ka urdhëruar rrjetin social TikTok që të bllokojë përkohësisht të dhënat që lidhen me zgjedhjet në Rumani, pas dyshimeve për ndërhyrje ruse.

Zyrtarët e unionit lëshuan një urdhër ndalimi sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale, i cili rregullon se si operojnë kompanitë më të mëdha të mediave sociale në Evropë.

Një zëdhënës i Tiktok tha se kompania ka bashkëpunuar me Komisionin Europian dhe shprehu gatishmërinë për të vërtetuar faktet përballë spekulimeve të pasakta që janë bërë. Shtetet e Bashkuara gjithashtu shprehën shqetësimin për ndërhyrjen e mundshme të huaj në zgjedhjet e Rumanisë, pasi ultranacionalisti pro-rus Calin Georgescu fitoi në raundin e parë të garës presidenciale.

Partitë e ekstremit të djathtë gjithashtu patën rezultate të mira në zgjedhjet parlamentare të Rumanisë të dielën e kaluar, megjithëse socialdemokratët e majtë në pushtet morën më shumë vota dhe shpresojnë të krijojnë së bashku një qeveri koalicioni pro-europiane.

Dokumentet e deklasifikuara nga zyrtarët rumunë të sigurisë treguan se Georgescu u promovua masivisht në platformën e mediave sociale TikTok përmes llogarive të koordinuara, algoritmeve dhe promovimit me pagesë. Vetë Georgescu deklaroi zero fonde të shpenzuara në fushatë.

Në dokumente thuhej se Rumania kishte qenë objektiv i sulmeve hibride agresive ruse. Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në fushatat zgjedhore të Rumanisë.

Nëse Georgescu fiton në raundin e dytë të 8 dhjetorit, ai ka të ngjarë të përpiqet të izolojë Rumaninë jashtë vendit dhe të ndryshojë qasjen e saj pro-BE. / abcnews.al



Skip to toolbar