“TikTok” nuk ndalohet në SHBA! Presidenti Trump firmos urdhrin ekzekutiv

BOTA


Presidenti i SHBA, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i jep rrjetit social “TikTok” një zgjatje 75-ditore për të respektuar një ligj që kërkon shitjen ose ndalimin e platformës. Ky urdhër ishte në mesin e një sërë direktivash që Trump nënshkroi të hënën në mbrëmje.

Trump thotë se se gjatë kësaj periudhe, SHBA nuk do të zbatojë ligjin e miratuar nga Kongresi vitin e shkuar dhe të nënshkruar nga ish-Presidenti Biden, administrata e të cilit ka argumentuar se “TikTok” mund të përdoret nga Kina si një mjet për spiunazh dhe manipulim politik.

Kur iu drejtua pyetja nga një gazetar se pse ai ka ndryshuar mendje që kur u pëpoq ta ndalonte “TikTok-un” në vitin 2020, Trump u përgjigj: Sepse duhet që ta përdor.

Presidenti paraqiti mundësinë e një sipërmarrje të përbashkët duke thënë se po kërkonte partneritet 50-50 midis SHBA dhe pronarit të saj kinez, “Byte Dance”, megjithatë nuk preferoi të jepte më shumë detaje si mund të funksionojë kjo.

Sjellim në vëmendje se platforma ndaloi së funksionuari për përdoruesit amerikanë të shtunën në mbrëmje pasi një ligj e ndalonte atë për arsye të sigurisë kombëtare.

Vetëm disa orë më pas, “TikTok” rifilloi shërbimet për 170 milionë përdoruesit e saj në Amerikë pasi Trump tha se do të lëshonte një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë afat platformës kur të merrte detyrën.

Ndërkohë, ata që kanë kundërshtuar ndalimin e platformës kanë ngritur argumentin e lirisë së fjalës si një arsye për të lejuar funksionimin e “TikTok” në SHBA.



Skip to toolbar