Tirana duhet të vazhdojë të presë për t’u kthyer te fitorja. Bardheblutë vazhdojnë të qëndrojnë larg statusit të kampionëve në fuqi dhe pas dy humbjeve radhazi, nuk shkojnë më shumë se barazimi pa gola në sfidën kundër Bylis për javën e katërt të Superligës. Duhet të presë edhe Nevil Dede, me teknikun që ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në pankinën e Tiranës.
Gjithsesi, për mënyrën se si shkoi sfida, të zotët e shtëpisë duhet të jenë të kënaqur me një pikë. Rastet tyre për shënim në 90 minutat në “Selman Stërmasi” numërohen me gishtat e njërës dorë, teksa edhe mundësitë e pakta për shënim nuk u finalizuan si duhet.
Një barazim I merituar për Bylis, që largohet me pengje nga kjo transfertë. Laval në minutën e tretë shtesë kishte mundësinë e artë për të shënuar golin e fitores, por fati nuk ishte me të, kur topi u përplas me shtyllën. Në fund një pikë e rëndësishme për formcionin ballshiot, por jo për Tiranën, që vazhdon të vuajë krizën e rezultateve dhe nëse vazhdon kështu mbrojtja e titullit kampion do të kthehej në një mision të pamundur.