Tirana rikthen shpresën, ndizen dritat e festave

AKTUALITET


Tirana i është rikthyer normalitetit, pas ditëve mjaft të trazuara nëpër të cilat u end gjatë dhe pas 26 nëntorit, ku tërmeti, përveç dëmeve materiale, shkaktoi dhe jo pak gjendje ankthi dhe shqetësimi.

Por cila është kura më e mirë për të filluar për të mbyllur plagët e hapura, dramat sociale që ajo shkaktoi, si dhe gjendjet e rënduara psikologjike tek të gjitha grupmoshat?

Ajo çka është më e vështirë nuk është thjeshtë ndërtimi i një shtëpie për të futur kokën. Tashmë Bashkia e Tiranës ka ofruar zgjidhjet maksimale, që nga pagesa e qirave për banorët që u është dëmtuar shtëpia në mënyrë të pakthyeshme, si për ata që presin që shtëpia e tyre të riparohet, pasi dëmet janë të një natyre murale dhe jo strukturore, ashtu edhe për ata persona, të cilët kanë vështirësi për sigurimin e nevojave më bazike si ushqim, strehë të ngrohtë etj. Ajo çka përbën dhe pikën më të vështirë të rikuperimit është dalja nga gjendja tronditëse psikologjike, si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë ndezur dritat e pemës së madhe të Vitit të Ri, që është vendosur në Sheshin “Skënderbej”, jo thjeshtë si një kremtim për festat e fundvitit, por edhe si mesazh se ka shpresë e dritë në errësirën që shpesh mbjell frika dhe pasiguria nga kapriçot dramatike të natyrës. Kjo tashmë është kthyer në traditë këto 4 vitet e fundit. Kudo shikon dhjetëra pika lojërash me drita shumëngjyrëshe, performanca zbavitëse për fëmijët. Graniti banon në njësinë nr.6 dhe thotë se tërmeti i 26 nëntorit dhe pasgoditjet që ishin si pasojë e atij tërmeti, krijuan shqetësim jo vetëm familjen e tij, por edhe për banesat përreth. “Gjithë kohës mendoja për vajzën. Ajo më shihte mjaft të shqetësuar, ndonëse përpiqesha të isha sa më pozitiv. Pas atyre ditëve mjaft të sikletshme pashë që Bashkia ka ndërtuar Fshatin e Festave në qendër, mbushur me lojëra e drita. Ndaj vendosa të marr Amelinë e të vij në shesh. Ajo është kthyer në rutinën e saj si vajzë e qeshur. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë jo vetëm për Amelinë, por dhe për mua, për të lënë pas ato ditë mjaft tronditëse. Nuk kemi në dorë të ndikojmë në forcat e natyrës, por kemi në dorë të ndikojmë për t’u rikthyer buzëqeshjen fëmijëve”, thekson Graniti.

Pak më tej, pranë pemës së madhe të vitit të ri, shikon gjyshër e gjyshe me nipër e mbesa, por edhe nëna të reja, që me karrocën përdore enden në labirinthet më lodra të Fshatit të Festës, shoqëruar nga britmat gazmore të fëmijëve. “Nuk do rrimë gjithë kohës me ankth. Ç’është për t’u bërë do bëhet. Por ne s’duhet të lejojmë frikën të ndryshojë rrjedhën e jetës sonë. Fëmijët janë psikologët më të mirë dhe kur gëzojnë ata brenga e shqetësimet hidhen pas krahëve”, thotë Erilda Xh., nëna e 2 fëmijëve njëri 11 muajsh e tjetri 5 vjeç.

Ndërsa shikon punëtorët e Bashkisë së Tiranës që po i japin dorën e fundit të gjithë rregullimeve në Fshatin e Festave, Miki Mousi-n që grish të mëdhenj e të vegjël të vinë pranë tij, syri të kap edhe dy studente njëra nga Fieri, Fiona S., dhe tjetra nga Librazhdi, të cilat bëjnë foto pranë pemës dhe karrocës së babagjyshit të Vitit të Ri. “Kur ra tërmeti isha në Tiranë. Një ankth pa fund. Të nesërmen ika për në Fier, pasi prindërit insistonin që të shkoja tek ata. Por unë dua të shkëputem. Të vijoj mënyrën dhe stilin tim të jetës. Kam ardhur tek Fshati i Festave me dëshirën më të madhe, jo vetëm për pemën, por për t’u ndjerë sa më fëmi. Gradualisht Tirana po hyn në rrjedhën e saj. Kuptohet se rikthimi në një gjendje pozitive psikologjike nuk është diçka e lehtë. Por, të paktën, rikthimi i pozitivitetit ka nisur qoftë nga Fshati i Festave në sheshin “Skënderbej”, karroca e babagjyshit apo dhe Miki Mousi. Jeta jonë ka plot ngjyra dhe s’kemi pse shohim vetëm bardh e zi”, shprehet Fiona. Tirana gradualisht po hyn në rrjedhat e saj normale të jetës, duke lënë pas ditët dramatike, që hyn në kujtesën kolektive, si ditë ankthi e pasigurie, për shkak të tërmetit. Por forca e vullnetit njerëzor, për të sfiduar fatkeqësitë e natyrës, sot më shumë se kurrë ndjehet në kryeqytet. Një forcë, e cila ndihmon gjithmonë për të rilindur.



Skip to toolbar