Tjetërsuan 2350 m² tokë në Mëzez, pranga dy përfituesve dhe pezullim tre zyrtarëve të Kadastrës

AKTUALITET


Një operacion i koduar “Kontrata” ka çuar në goditjen e një skeme tjetërsimi pronash në Tiranë, ku janë ekzekutuar masa sigurie për pesë persona të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Hetimet zbuluan se një sipërfaqe toke prej 2350 metrash katrorë në fshatin Mëzez ishte përfituar në mënyrë të paligjshme përmes manipulimit të dokumentacionit zyrtar.

Për këtë arsye, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “Arrest në burg” për 45-vjeçarin D. B. dhe “Arrest në shtëpi” për shtetasin I. Ç., të cilët dyshohet se kanë kaluar pronën e një personi tjetër në emrin e tyre.Në këtë skemë abuzive rezultojnë të përfshirë edhe tre punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, konkretisht shtetasit B. S., F. Z. dhe Th. L., ndaj të cilëve është caktuar masa e pezullimit nga detyra publike.

Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën duke bashkëpunuar në tjetërsimin e pasurisë përmes veprimeve të paligjshme procedurale.

Paralelisht me masat e arrestit, gjykata ka vendosur sekuestro preventive mbi sipërfaqen e tokës në Mëzez, duke bllokuar çdo transaksion të mëtejshëm mbi këtë pronë.



Skip to toolbar