Tre studentë në Durrës janë tmerruar në orët e para të mëngjesit, pasi dy persona të armatosur me thika janë futur në banesën e tyre dhe i kanë grabitur.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 15 në Durrës, rreth orës 04:00 të mëngjesit. Dy persona të armatosur me thika kanë hyrë në banesën e tre studentëve dhe u kanë grabitur atyre 800 euro.
“Njëri prej studentëve ka njoftuar Policinë dhe është vënë në ndjekje të autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, dhe ndihmës së banorëve të zonës është bërë e mundur kapja në flagrancë e njërit prej autorëve, konkretisht S. A., 22 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e vjedhjes”- njofton policia.
Ndërsa autori tjetër ka mundur të largohet, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Autorët e dyshuar kishin disa ditë që jetonin me qira në një nga hyrjet e pallatit ku jetonin edhe tre studentët. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 telefona, dy çanta dore dhe një sasi parash.