Gjashtë adoleshentë kanë tmerruar me të shtëna armësh fshatin Hot i Ri në Shkodër, pasi kishin dalë me kallash dhe qëllonin në ajër. Banorët e fshatit kanë njoftuar policinë e cila u vu menjëherë në lëvizje duke vënë në pranga një 16-vjeçar, ndërsa një 15-vjeçar arriti t’ia mbathte. Policia ndërkohë procedoi në gjendje të lirë 4 adoleshentë të tjerë të moshës 15 e 16 vjeç, shokë të tyre, për prishje të rendit e qetësisë publike si dhe sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov, më të cilën adoleshentët kanë qëlluar në ajër.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasin E. Z., 16 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, i cili akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Në lidhje me këtë ngjarje është bërë shpallja në kërkim e shtetasit K. F., 15 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, të Bashkisë Shkodër, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.