Trafikoi 2.5 tonë kanabis, sillet me pranga nga Franca kreu i grupit

AKTUALITET


Autoritetet shqiptare kanë ekstraduar nga Franca 38-vjeçarin Nuri Bedinaj i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në vitin 2017, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në organizatat kriminale”.

Ai akuzohet si i përfshirë në trafikimin e 2.5 tonë kanabis nga Shqipëria drejt Gjermanisë, e cila u ndalua në Ankona të Italisë. Gjatë këtij operacioni u dërguan në gjyq si të pandehur 9 persona, mes tyre edhe Nuri Bedinaj.

Nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve asokohe rezultoi se kamioni me targa të kokës FR 9139 C dhe targa trajleri ARB 414 dhe i ngarkuar me sasinë e konsiderueshme të drogës u nis nga Porti i Durrësit për në drejtim të Ankonës në Itali më datë 3 janar 2017. Automjeti drejtohej nga Dhimo Koraj i cili kishte marrë përsipër të trafikonte lëndën narkotike drejt Italisë, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte në Gjermani ku pritës i saj ishte Euron Hoti.

Lënda narkotike ishte fshehur në mallin drusor pelet dhe në panele druri, që sipas dokumentacionit shoqërues të paraqitur ishte marrë tek shoqëria AL MEXWOOD SHPK-Gramsh-Shqipëri dhe që do të eksportohej nëpërmjet shoqërisë së transportit ALPIROS GROUP 2007-FIER-Shqipëri, në drejtim të porositësit, në adresën e shtetasit Euron Hoti, me gjeneralitetet të falsifikuara, ARTAN ABAZI, me adresë AM SCHAART 127809LEMËEROER-GJERMANI.

Një ditë pas nisjes nga Porti i Durrësit për në Ankona, autoritetet italiane bllokuan kamionin për mungesë dokumentacioni transiti ndërkombëtar, ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara në ngarkesën e tij, u zbulua edhe sasia e lëndës narkotike prej 2.5 tonë kanabis.



Skip to toolbar