Trafikonin armë nga Mali i Zi, arrestohen dy persona

AKTUALITET


Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”.

Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit.

Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.

Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.

Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.

Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar