Një tragjedi është regjistruar në Brazil gjatë një gare në kampionatin kombëtar Moto 1000 GP në në Cascavel, një qytet në shtetin e Parana.
Dy pilotë humbën jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur gjatë provave zyrtare. Teksa ishte fundi i xhiros së parë, në daljen nga një kthesë, motori i 42-vjeçarit André Verissimo Cardoso rrëshqiti dhe përfundoi në tokë.
Piloti u ngrit në këmbë, por u godit me forcë nga një tjetër motor që drejtohej nga 38-vjeçari Erico Verissimo da Rocha, i cili po ashtu ra nga mjeti.
Të dy u dërguan menjëherë në spital, por gjendja e tyre ishte shumë e rëndë dhe nuk mundën të mbijetonin. Pas aksidentit gara u ndërpre, më pas organizatorët vendosën ta anulojnë.